Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria Kurti të rrisë pagën minimale në 400 euro.
Tahiri para mediave tha se problemin ekonomik, Qeveria Kurti po e trajton me prioritet zero, dhe siç tha ai, kjo Qeveri ka thënë fjalë të bukura për një vit e “punë kërkah hiç”.
“Për AAK-në, është brengë shumë e madhe mosreflektimi i Qeverisë dhe shumicës parlamentare në tema që lidhen me mirëqenien e qytetarëve, me ekonominë, me fukarallëkun që është problemi kryesor në Kosovë e Qeveria e trajton problemin ekonomik me prioritet zero”.
“Ne kemi dy kërkesa, ngritja e pagës minimale, të jetë 400 euro dhe legjislacionin që e rregullon këtë temë, ligjin pagave, nëse nuk kanë mundësi dhe instrument për subvencionim kanë mundësi me marr vendime. Rriteni pagën minimale në 400 euro, leni tryezat. Silleni ligjin për paga, dy masa që menjëherë lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe pastaj merrni vendime tjera të tipit të trustit të cilin në e kemi mbështetur. Një vit qeverisje është – fjalë të bukura, zhurmë si me tupan, punë kërkah hiç. Për fjalë kush nuk ua kalon, për punë, faleminderit”, tha Tahiri.