Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se askush nuk e pyet kryeministrin Albin Kurtin dhe ministrin e Financave, Hekuran Muratin se a duhet të pastrohen listat për veteranët.
Berisha thotë se Kurti e Murati duhet t’ua plotësojnë kushtet këtyre kategorive.
“Kurti e Murati nuk janë të thirrur në Gjykatë as në Prokurori për me jep versione se a janë listat e fryme dhe a duhet të pastrohen listat. Nuk i pyet askush ata, këta duhet me ia plotësu kushtet këtyre kategorive, ajo është çështje e drejtësisë”, tha ai.
Sipas tij, Kurti e Murati janë të fundit që duhet të pyeten për listën e veteranëve.
“Ku e dinë ata që nuk kanë qenë, ata janë të fundit që duhet të pyeten për këtë. Për neve GP e AAK-së nuk bëjmë këtë ndarje se është e zorshme me ditë kush sa ka qenë veteran”, tha Berisha.
Ai thotë se nuk ka fryrje të listave, sipas tij numri i veteranëve është real.
“Nuk ka fryrje, nuk është numri i madh, reale është numri i veteranëve. Kurti ka filluar të shtijë përçarje mes veteranëve se kush ka qenë dhe kush nuk ka qenë në luftë. Veteranët nuk është dashur të lëshohen në këtë debat. 37 mijë apo 60 mijë dalin shumë pak që kanë marrë pjesë në luftën për liri. Përfituesit nuk janë 60 mijë por 37 mijë dhe është reale”, deklaroi Berisha.