Tradhtia e Parë e ka quajtur gazetari Baton Haxhiu një shkrim autorial, që është publikuar edhe në Gazetën Express, pas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Serbisë për çështjen e energjisë.
Duke folur nga prizmi i Kurtit opozitar, Haxhiu është përpjekur të nxjerr të shkruar atë që do ta thoshte Albin Kurti sikur këtë marrëveshje ta arrinte dikush tjetër në vendin e tij.
Haxhiu, në këtë shkrim ka kritikuar ashpër edhe krerët e opozitës që po rrinë të heshtur, teksa shohin Kurtin të bëjë marrëveshjet e njëjta, që ai i kritikonte me ashpërsi.
Për Abdixhikun e LDK-së shkruan se ai mban gojën mbyllur sepse e di me çfarë merret një pjesë e familjes së tij, ndërkaq për Krasniqin e PDK-së shkruan nuk dihet i gjallë për shkak të kusureve që ia kanë zbuluar ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe kryeministri Albin Kurti.
“Pjesa tjetër, ndërkaq, është punë e njohur. Lumiri kur vie puna te çështjet e mëdha me Serbi zakonisht e mbyllë gojën sepse e di shumë më mirë se ne me çfarë punë merret një pjesë e familjes së tij. Ndërkohë Memli Krasniqi nuk u ndie i gjallë për shkak të shumë kusureve të tij që ia ka zbuluar Faton Peci e Albin Kurti, edhe për shkak të përcaktimit të tij të prerë për ta tjetërsuar PDK-në në një klub të përdalë gastronomësh. Si ka mundësi, Partia Demokratike e Kosovës, pasardhësja e UCK-së, të shitet deri në këtë ditë e të tmerrohet deri në palcë nga një Albin Kurt, i cili ua ndajti sistemin energjetik të Kosovës ndër sy? Këto janë pasoja kur braktisen idealet e partia në emër të qytetarisë iu besohet pianecëve, narkomanëve dhe tenderomanëve profesionist”, ka shkruar Haxhiu.
Krejt në fund të opinionit, Haxhiu ka shkruar: Kështu do shkruante sot Albin Kurti nëse kryeministri s’do ishte ai.