Analisti Jufuf Thaçi është shprehur kritik ndaj reagimit të krerëve institucional, lidhur me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili po dyshohet se është përfshirë në një skandal financiar.
Thaçi tha se Berishaj duhej të shkarkohej menjëherë, për siç tha “shteti i Kosovës, përfaqësimi e diplomacia e tij, është damkosur dhe do të vazhdojë të jetë i damkosur nga ky skandal publik derisa të zbardhet e vërteta për rastin në fjalë”.
Ndërkohë, Thaçi shprehet i zhgënjyer me përkrahës dhe votues të VV’së e Kurtit, të cilët sipas tij, po heshtin për rastin.
Tha se në këtë rast “heshtja është krim”.
“Përkundrazi, me heshtje për raste të tilla përkrahet theqafja e LVV-së dhe e kryeministrit Kurti”, shkroi ai në Facebook.
Shkrimi i plotë i Thaçit në Facebook:
Parimi i prezumimit të pafajësisë së individit derisa të vërtetohet e kundërta, është parim i shenjtë. Bazuar në këtë parim, ambasadori i Kosovës në Kroaci është, duhet të konsiderohet dhe duhet të trajtohet i pafajshëm deri sa të ketë vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente që e shpallë atë fajtor. Nëse shpallet i pafajshëm, aq më mirë.
Pavarësisht kësaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci duhet të shkarkohet menjëherë nga kryeministri Kurti, jo duke paragjykuar që ai është fajtor për akuzat, por për shkak shteti i Kosovës, përfaqësimi e diplomacia e tij, është damkosur dhe do të vazhdojë të jetë i damkosur nga ky skandal publik derisa të zbardhet e vërteta për rastin në fjalë (cilado qoftë ajo). Prandaj, mos-shkarkimi i ambasadorit e cenon rëndë kredibilitetin e qeverisë së Kosovës, e dëmton rëndë imazhin e shtetit të Kosovës dhe përbën fyerje të rëndë për shtetin e Kroacisë.
Çdo interpretim tjetër për situatën në fjalë është veç llomotitje burokratike!
P.S.:
Jam ekstremisht i zhgënjyer që aktivistët, përkrahësit e votuesit e LVV-së e të kryeministrit Kurti po heshtin për këtë rast, i cili mund të jetë precedenti më i keq që mund të krijojë Qeveria Kurti nëse nuk reagon me shkarkimin e ambasadorit. Me heshtje për raste të tilla nuk përkrahet LVV-ja e as kryeministri Kurti. Përkundrazi, me heshtje për raste të tilla përkrahet theqafja e LVV-së dhe e kryeministrit Kurti. Është e vërtetë që nganjëherë “heshtja është flori”, por në raste të tilla heshtja është krim.