Lajme

Ҫun Lajҫi e këshillon Kurtin për Ramën: Asht diplomat dreqi që s’ia kalon edhe nji tjetër

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:39 / 19 October 2023

Artisti Ҫun Lajҫi në një postim të tij në Facebook i drejtohet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Ai e kritikon Kurtin për qëndrimin e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Ndërkaq për këtë të fundit thotë se “asht diplomat dreqi që s’ia kalon edhe nji tjetër”.

Artisti Lajҫi thotë më tutje se, “atë natë, (edhe pse t’përkrahi e t’votoj), asht dashtë me iu nxjerrë shqiptarët nga stadioni, Ty e Edin me fishkëllima, kur iu kan pa të ndamë, se bota nuk sillet as rreth teje as rreth tij”.

Madje, ai i drejtohet Kurtit me fjalët se t’ka hy shumë në qejf lavdi e po fotografohesh duke fol e duke qeshë e duke mos kryer punë.

Postimi i plotë:

Albin

  – Fjalën e vërtetë veç shqiptarit mos ia thuej, m’tha baci Adem 2002-tën dhe u knaq tue qeshë!

   Pse e pyeta?

– Sepse ke me ecë vetëm çarrshisë! S’ka me ardhë kush mbas teje! Kikirec ke me mbetë!

– Shqiptari don me rrejtë! Me ia lëmua qafën si tarakut! Me ia thye qafën tue ia ba rrafsh; – m’pat thanë asaj vere Adem Demaçi!  

   Albin!

   Xhipat i kan xhamat e zi e nuk m’sheh me libra n’çarrshi! Kam mbetë herë tue folë, herë tue leh e her tue pëllitë; – për sherrin e fjalës së vërtetë!

   I kam durua shamjet, por s’e kam durua naivitetin e atyne që kujtojnë se janë strumbullari i botës!

– Po druaj se njeni nga ta ke nisë mu ba edhe ti! T’ka hi n’qejf pak si shumë lavdi e po sillesh sikur bota s’ka bosht tjetër pos Albinit! Pak si shumë ke nisë mu fotografua tue qeshë, tue folë e tue mos krye punë!

   Tu rritë mendja jarebi; – nemte tezja Sykë, kur kalojsha sokakut e nuk i folsha!

   Mos tu ka rritë mendja edhe ty, që shkove n’Shqipni e hipe nji kat përmbi Ramën me kqyrë ndeshjen e Kombëtares!

   Ajo ishte krenari e teprueme; – mbaje mend!

   Edi Rama, mund t’jetë lugu i gabuem i ujit t’mullinit, por asht diplomat dreqi që s’ia kalon edhe nji tjetër, e do t’duhej t’ishe n’krahun e tij, që kanga e mija kapuçbardhëve “Mora fjalë…”ta kishte kuptimin e përafrimit!

  Edhe Lulin asht dashtë me ulë afër Edit, e me ia përkujtua gjakun e derdhun n’Prekaz!

 – Dreqin e zi duhesh me mbajt afër, se ta mbushë shtëpinë me delidreqën! – mbaje mend edhe këtë!

   Albin

   Atë natë, (edhe pse t’përkrahi e t’votoj), asht dashtë me iu nxjerrë shqiptarët nga stadioni, Ty e Edin me fishkëllima, kur iu kan pa të ndamë, se bota nuk sillet as rreth teje as rreth tij!

   Na moret n’qafë me vetbesimin tuaj te tepruem e ujku po gërdhuzet të Ibri!

   Unë gjithmonë ia huqi, por kësaj rradhe kam dashtë me sharrua n’baltë e me dalë n’çarrshi me folë me libra, n’mungesë njerëzish!

   S’i dua njerëzit që flasin me vetvete, që i besojnë vetëm vetvetës, e kujtojnë se janë mullari ku duhet të palohet sana, si ti e Edi!