Kur dëgjojmë termin zemërim, të gjithë në një farë mënyre menjëherë arrijmë të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë. Sepse secili njeri të paktën një herë, në mos edhe më shumë e ka provuar këtë ndjenjë. Por për fat të keq, ajo që ndodh shumë herë është njohja e pakët me pasojat që shkakton ai në aspektin fizik, psikik e shpirtëror. Sot, mendoj se është e nevojshme të dimë diçka më shumë rreth zemërimit. Atëherë vetvetiu lind pyetja:
Çfarë është zemërimi dhe si lind? Vazhdon poshtë reklamave….
Zemërimi është një emocion që lind nga frustrimi1, që përjetohet nga të gjithë, të vegjël e të mëdhenj. Është një emocion që shfaqet dhe përjetohet shumë shpesh në marrëdhëniet ndërpersonale. Ai shfaqet zakonisht kur nuk arrijmë atë çfarë dëshirojmë apo duam. Është një ndjenjë që vjen pas një zhgënjimi apo pengese për të bërë diçka. Është një reagim impulsiv, shpërthyes, është një ishull ku harxhohet shumë energji e që vjen në mënyrë të furishme. Volter thoshte: “Zemërimi vjen gjithmonë fluturim dhe ikën çalë-çalë”. Pra, është një gjendje që vjen shumë shpejt e që shuhet ngadalë, e pushton trupin, shpirtin dhe zemrën, do të thotë tërë qenien e njeriut.
Sipas studimeve të bëra, zemërimi është ai emocion që e bën njeriun të ndjeshëm ndaj sëmundjes së zemrës, diabetit, presionit të lartë të gjakut dhe rritjes së kolesterolit. Është emocioni apo ndjenja që e bën njeriun të ndjehet keq, e jo vetëm personin, por edhe ata që pësojnë prej tij, e që kanë të bëjnë me të. Shpesh ai shihet si një “çmenduri e vogël” që pushton trurin e njeriut e që dëmton më tepër se vetë fyerja që mund ta ketë shkaktuar atë. Është një ndjenjë që të çon në neveri, urrejtje dhe shumë lehtë mund të shkojë deri në armiqësi. Gjithashtu nëse ai arrin në një gjendje të pakontrolluar të çon deri në vrasje. Pra, ka efekte negative si për vetë personin ashtu edhe për të tjerët.
Zemërimi lind kur mendojmë se na janë cenuar të drejtat, kur nuk arrijmë atë që duam, kur na dështojnë planet, kur përjetojmë ndonjë fyerje apo padrejtësi. Mirëpo, sipas studiuesve mendohet se jo gjithmonë janë këto situata që ndikojnë në lindjen e zemërimit, por thuhet se ai shumë herë shfaqet edhe si një përgjigje ndaj vuajtjeve të brendshme. Gjithashtu shpesh ai shihet edhe si vetëmbrojtje, si plotësim nevojash, dëshirash dhe si një ndjenjë që synon drejt pushtetit dhe dominimit.Po ashtu mendohet se zemërimi përdoret edhe si maskë për të fshehur turpin, frikën dhe pasigurinë. E njëkohësisht edhe si mekanizëm mbrojtës2 për t’iu shmangur ndjenjës së lëndueshmërisë nga mossuksesi apo mungesa e vetëbesimit.
Por ajo që kërkohet nga ne është që të dimë ta njohim zemërimin e ta pyesim veten: Nëse më ndodh të zemërohem, nga lind ky zemërim??? Çfarë më shtyn të zemërohem? A kam të drejtë të zemërohem? A ndodh që të zemërohem për t’i përmbushur dëshirat e nevojat e mia? Çfarë fitoj apo çfarë dobie kam unë nga zemërimi? A ia vlen që ta mbaj zemërimin përbrenda? E shumë pyetje të tjera mund t’ia drejtojmë vetes për të kuptuar më mirë si dhe pse lind zemërimi tek unë.
E atëherë mund ta kuptojmë se zemërimi është ai që nxit njeriun për të vepruar keq dhe e çon deri në agresion. Është ai që e dëmton tërë qenien njerëzore. Mund të ndodhë që të mendojmë se me zemërim po i bën keq tjetrit dhe harrojmë se më parë e më shumë dëmtojmë veten sesa tjetrin. Është një shprehje që na ndihmon ta kuptojmë më mirë këtë gjë: “Zemërimi është sikur ti të pish helmin e të presësh të vdesë tjetri!!!”
Cilat janë shenjat e zemërimit?
Zemërimi shfaqet me shenja të ndryshme tek njerëz të ndryshëm. Thuhet se shenjat e shprehjes së zemërimit janë shumë të afërta me atë të ankthit saqë nganjëherë krijon vështirësi për t’i dalluar. Por, disa janë më të dallueshme dhe më të dukshme që na ndihmojnë të kuptojmë se kemi të bëjmë me zemërimin e jo me gjendjen e ankthit dhe këto janë: shenjat fizike, shenjat në sjellje, shenjat mendore:
Shenjat fizike janë: Shtrëngimi i nofullave, kërcëllitja e dhëmbëve, shtimi i rrahjeve të zemrës, zmadhimi i bebeve të syrit, rritje e temperaturës së trupit, shtrëngime në shpatull dhe qafë, dhimbje stomaku, dhimbje koke, djersitje, dridhje.
Shenjat në sjellje: ngritje e zërit, ulërima, të qara, sarkazëm3, humbje e sensit të humorit, goditje në njerëz dhe objekte, thyerje e gjërave, përplasje, thashetheme, dashakeqje, vjedhje, mungesë faljeje, rebelim, sjellje antisociale, refuzues në bisedë, përçarës. Ndryshimi i mimikës së fytyrës, ngrysje e vetullave, shtrembërim i buzëve, ndryshim i zërit.
Shenjat mendore: paragjykimi, ekzagjerimi i gjërave, fajësimi i tjetrit dhe dyshimi.
Të gjitha këto janë shenja që na ndihmojnë të kuptojmë se kemi të bëjmë me emocionin e zemërimit dhe gjithashtu janë mënyra të shkarkimit të tij, që nuk e zgjidhin problemin, por sjellin pasoja edhe më të rënda e më të dhimbshme. Nëse shkarkohet në sende, ato janë të zëvendësueshme. Por shenjat që lënë veprimet në zemër, janë të pariparueshme.
Buda në shkrimet e tija thotë: “Ti nuk do të ndëshkohesh për zemërimin tënd. Ti do të ndëshkohesh NGA zemërimi yt”.
Njeriu që i jep hapësirë zemërimit
Studimet e bëra më parë tregojnë se personi që vuan nga ankthi e përjeton më shumë ndjenjën e zemërimit. Është person që nuk sheh nevojën dhe të mirën e tjetrit. Është ai që tenton për të arritur vetëm qëllimet e veta. Njeriu i tillë është shumë krenar dhe fyhet lehtë dhe nuk mund të durojë që dikush të qëndrojë më lart se ai, ose baraz me të, gjithmonë tenton të shohë veten më lart. E kur nuk e arrin këtë, atëherë merr qëndrime zemërimi.
Është ai që vuan nga mungesa e vetëvlerësimit dhe mosbesimit në vetvete, e ka të vështirë të krijojë një gjendje të përshtatshme në shoqëri sidomos në shoqëri të reja. Është ai që synon drejt epërsisë ndaj të tjerëve dhe mendon se me këtë metodë do të mund të arrijë më mirë qëllimet e tij dhe se do të fitojë atë që dëshiron.
Njeriu që është gjithnjë i zemëruar, pas një farë kohe ndodhet në konflikt me të gjithë. Përdor fjalor fyes, në shumicën e rasteve proteston, thyen e përplas gjëra. Është mënyra e tij për të shprehur veten me veprime shkatërruese. (Kjo është e dukshme dhe ndodh edhe tek fëmijët të cilëve nuk u plotësohen tekat. Atëherë ai fillon e bërtet, shtrihet për tokë duke qarë, duke hedhur objekte, duke përplasur gjëra etj… sepse në këtë mënyrë ai arrin t’i plotësojë të gjitha kërkesat dhe dëshirat.) dhe shpesh pas situatës arsyetohet se nuk ishte i aftë të kuptonte se çfarë ishte duke bërë!!!
Samuel Xhonson thotë: “Njeriut të zemëruar i duket sikur të tjerëve nuk u vjen keq sa duhet për të .”
Njeriu që i jep hapësirë zemërimit është irracional, ka një qëndrim armiqësor ndaj botës që e rrethon si dhe mungesë të ndjenjës sociale. Rrezikon të përdorë pije alkoolike sepse mendon se në të gjen një farë ngushëllimi. Këtu kemi të bëjmë me njeriun, të cilit zemërimi i është bërë kronik. Këtu nuk bëhet fjalë për njeriun që mund t’i ndodhë ndonjë herë të zemërohet, sepse ai është një pjesë e natyrshme e gjendjes njerëzore, por nuk mund të arsyetohemi me këtë gjendje e të lejojmë që zemërimi të na menaxhojë ne, e jo ne zemërimin. Mund të na ndodhë të zemërohemi, por e rëndësishme është që të kuptojmë se unë, ti, ne, jemi përgjegjës për ta mbajtur nën kontroll këtë emocion. Kur them në kontroll, nuk është fjala për ta shtypur, por për ta kanalizuar e menaxhuar në mënyrën e duhur, pa sjellë pasoja.
Aristoteli thotë: Çdokush mund të zemërohet – kjo është e lehtë. Por të zemërohemi në personin e duhur, në masë të duhur, në kohë të duhur, për arsye të duhur, në mënyrë të duhur – kjo nuk është e lehtë.
Si ta menaxhojmë zemërimin?
Briant thotë: “Është fatkeq ai që nuk di ta menaxhojë zemërimin e tij”. Pra, shihet se është më se e nevojshme të dimë ta menaxhojmë zemërimin. E si arrihet kjo? Në radhë të parë kërkohet ta njohim atë, t’i njohim shkaqet e tij, ta pranojmë e jo ta shtypim, ta kuptojmë arsyen
se pse jemi zemëruar, sepse vetëm atëherë mund të bëjmë diçka rreth tij. Por sipas studiuesve janë edhe disa teknika që na ndihmojnë për të menaxhuar zemërimin.
Pusho para se të reagosh, Numëro deri në dhjetë ose edhe më shumë nëse është e nevojshme para se të flasësh dhe të reagosh kur je i zemëruar, bëj dhjetë frymëmarrje të thella, praktiko lutjen dhe meditimin, fol me dikë, bëj aktivitete fizike, bëje ditarin e zemërimit dhe recitoje alfabetin duke filluar nga fundi, thuaja vetes STOP. Mos merrni vendime, kur jeni të zemëruar.
Dyfren thotë: Zemërimi nuk na çon asgjëkund. T’i jepesh atij do të thotë të humbasësh kohën duke e ditur që çdo sekond është i shejtë.
Pra, nuk ia vlen të zemërohemi e të humbim kohë, sepse të zemërohesh do të thotë të harxhosh energji afektive dhe mendore.
Një tregim i shkurtër që na flet për zemërimin:
Gozhda
Ishte një herë një djalë me një sjellje shumë të vështirë. Ndizej shpejt. Ishte ngatërrestar dhe ngacmues. Një ditë, i ati i dorëzoi një qese me gozhda, duke e ftuar të ngulte një gozhdë në gardhin që rrethonte oborrin e tyre çdo herë që zemërohej me ndonjërin. Ditën e parë djaloshi nguli 38 gozhdë. Me kalimin e kohës, kuptoi se ishte më e thjeshtë të kontrollonte zemërimin e tij sesa të ngulte gozhdë dhe, shumë javë më vonë, një mbrëmje, i tha të atit se atë ditë nuk ishte zemëruar me asnjeri. I ati i tha: “Është shumë e bukur. Tani hiq nga gardhi një gozhdë për çdo ditë në të cilën nuk zemërohesh me askënd”. Pas pak kohe, djaloshi mundi t’i thotë të atit se i kishte hequr të gjitha gozhdët. I ati atëherë e mori përdore, e çoi tek gardhi dhe i tha: “ Biri im, kjo është shumë e bukur, por shiko, gardhi është plot vrima. Druri nuk do të jetë më kurrë si më parë.
Kur thua diçka, kur je pre e zemërimit, shkakton tek personat të cilët i do plagë të ngjashme me këto vrima. Edhe nëse ti kërkon falje disa herë, plagët përsëri mbeten.