Lajme

A e ka guximin Albin Kurti të përballet me “peshqit e mëdhenj?!

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:45 / 4 September 2022

NGA: FLORIM ZEQA

Pas ardhjes në pushtet të LVV-së, gjatë bisedës me një mik timin (njohës i mirë i Albin Kurtit) rrethë mundësisë së arrestimit të “peshqve të mëdhenj”, më ishte përgjigjur në këtë mënyrë; mbaje mend çfarë po të themë; Albin Kurti as që do ta ketë guximin t’iu afrohet “peshve të mëdhenj” e lërë më t’i arrestoj dhe konfiskojë pasuritë e tyre miliardëshe”!

Çfarë panë qytetarët për këta  muaj të qeverisjes Kurti 2

Populli i zhgënjyer i Kosovës i dha votën Albin Kurtit duke i besuar në premtimet elektorale, pra duke i besuar në fjalët e mëdha për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për reformimin e thellë të prokurorive dhe gjykatave, përkatësisht për VETTING-un në sistemin e drejtësisë, për zhvillimin e premtuar ekonomik dhe rritjen e mirëqenjes së qytetarëve.

Nga premtimet megalomane të Albin Kurtit, qytetarët panë vetëm shkarkim politik të bordeve dhe agjensioneve, shkarkim të stafit diplomatik, gjegjësisht shkarkim të ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës në shtetet e ndryshme dhe emrime politike dhe nepotike në të gjitha anët, duke u bërë kopje e qeverive të kaluara!

Policia e Kosovës, gjegjësisht njësia speciale “ROSU” paraprakisht zbarkimit në barakat dhe tendat e “peshqëve të vegjël”, është dashur të zbarkojë në shtëpitë luksoze dhe rezidencat voluminoze e të fortëve të politikës, qofshin ata në pushtet apo opozitë, në veri apo jug, aty ku është kupola e korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik, për të arrestuar “peshqit e mëdhenj” pa pasur nevojë të bëjë spektakle televizive.

Arrestimi i “peshqve të mëdhenj” ishte premtim i kahmotshëm i EULEX-it, por edhe premtim i freskët elektoral i kryeministrit aktual, Albin Kurti si opozitarë!

Prandaj, i pari që duhet të japë përgjigje pse nuk po hetohen dhe gjykohen lëndët e “peshqve të mëdhenj”, gjegjësisht të politikanëve të profilit të lartë në Kosovë është kryeministri Albin Kurti, për shkak se në pushtet erdhi me premtimet e mëdha për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta!

Qytetarët e Kosovës ende i kanë të freskëta në memorien e tyre të gjitha premtimet elektorale të Albin Kurtit, vargu i të cilave është i gjatë dhe i pambarim!

Demolimi i barakave të “lojrave të fatit” në Karaçevë dhe i tendave të “prodhimit të kriptovalutave” në veri dhe jug të Mitrovicës si dhe “identifikimi” i Villave luksoze të politikanëve të nivelit të lartë në Brezovicë, nuk janë gjë tjetër veçse kapje e problemit nga bishti e jo nga koka!

Emrat e “peshve të mëdhenj” jo që nuk janë të panjohur për kryeministrin Albin Kurti, jo që nuk janë të panjohur për prokuroritë dhe gjykatat tona, madje edhe qytetarët e rëndomtë janë në dijeni se kush janë pronarët faktik të lojrave të fatit, se kush janë pronarët faktik të “minierave” të kriptovalutave, se kush janë pronarët faktik të villave dhe restoraneve luksoze, se kush janë pronarët faktik të pikave të karburanteve, se kush janë pronarët faktik të gurëthyesve dhe çdo biznesi fitimprurës në Kosovë.