NGA: PROF. DR. ENVER BYTYÇI
Ish – kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka deklaruar se “Bashkimi i opozitës (në Kosovë) ka një qëllim, ndarjen e Kosovës”! Lumir Abdixhiku ka reaguar dhe ka thënë se “Jo, kjo nuk është e vërtetë”! Pse duhej të ragonte Lumiri? Atij askush nuk ia përmendi emrin për këtë akuzë. Bahtiri ka përmend opozitën. Në fakt i ka fut në një thes të gjithë opozitarët, çka normalisht se nuk është e saktë. Por ama Agim Bahtiri ka të drejtë kur thotë se opozitarët mund të punojnë për ndarjen e Kosovës. Jo të gjithë, megjithatë një pjesë që ka ndikim te vedimmarrja e opozitës. Ndërkohë që kreut të LDK-së nuk i ka pëlqyer kjo deklaratë. Me siguri që nuk u ka pëlqyer edhe shumë eksponentëve të tjerë të LDK-së dhe PDK-së. Megjithatë akuza e ish-kreut të komunës së Mitrovicës në thelb është e drejtë. Le ta argumentojmë pak:
Në opozitë (kryesisht te PDK) ka eksponentë të politikës opozitare, të cilët janë involvuarn direkt për zbatimin e projektit të Serbisë për ndryshimin e kufijve, pra të ndarjes së Kosovës. Nuk po akuzoj askënd tjetër, por nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është akuzuar me fakte për lobimin e saj në favor të ndarjes së Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi e ka pranuar me yë e me figurë edhe në prani të Aleksandër Vuçiq. Vlora nuk ka kërkuar ndjesë deri më sot për këtë lobim. Vetë PDK nuk është distancuar qartësisht nga përpjekjet e Thaçit dhe të Çitakut e ndonjë tjetri në PDK për shkëmbimin e territoreve. Derisa nuk ka ndodhur ndjesa, do të thotë se projekti nuk është varrosur. Derisa ky projekt nuk është varrosur, atëherë ata që u bënë protagonistë të ricopëtimit të Kosovës normalisht duhet të shpresojnë, në mos të vazhdojnë punën për ta realizuar këtë objektiv. Që vendit të tyre t’ia shkëpusin pjesën më të pasur të territorit e këtë territor të pasur t’ia falin Serbisë. Gjithnjë në shenjë “respekti” për masakrat, krimet kundër njerëzimit dhe genocidin që ajo ka bërë kundër shqiptarëve!
Mospranimi i fajit për angazhim direkt, madje me lobim dhe me paratë e taksapaguesve të Kosovës për ndarjen e territorit të saj, ka edhe një arsye tjetër. Nëse këta protagonistë do të kërkonin ndjesë, historia do t’i ndëshkonte, për së paku do t’i mëshironte. Nëse nuk kërkojnë ndjesë, atëherë këto figura politike të opozitës vazhdojnë të punojnë e të ëndërrojnë për ta vënë në jetë projektin e Garashaninit e deri te Vuçiq për zgjerimin e territoreve serbe dhe bashkimin e “botës serbe” në një shtet të vetëm. Pse Vlora, Thaçi e të tjerë të përfshirë në atë projekt kanë arsye ta vazhdojnë detyrën që kanë marrë? Së paku për t’u thënë shqiptarëve se “Ajo që u përpoqëm ne të bëhet, u bë edhe pa ne dhe kjo do të thotë se ne kishim të drejtë”! Që ta shfajësojnë veten nga ndëshkimi i historisë, jo pak autoritete të politikës opozitare në Kosovë janë gati ta mbështesin projektin e ndarjes së Kosovës deri në fund. Ndaj dhe deklarata e Agim Bahtirit është e arsyetuar, logjike dhe shprehje e një realiteti të trishtë në Kosovë.
Nga ana tjetër, për arsye, të cilat vetëm ata i dinë, edhe në PDK, edhe në LDK ka eksponentë që hapur ose në heshtje e kanë mbështetur projektin e Vuçiq, Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës. Disa emra i njohim. Kjo pjesë e opozitës, ku bën pjesë edhe zevendësi i Lumirit, vazhdon ende sot të propagandojë ndarjen e Kosovës. Kjo e bën deklaratën e Agim Bahtirit edhe më shumë të saktë. E bën këtë deklaratë akoma më paralajmëruese për rrezikun që ende i kanoset vendit. Opozita e PDK-së dhe e LDK-së duhet që patjetër të distancohet publikisht nga qëndrimet dhe thirrjet e eksponentëve të saj për të ashtuquajturën “shkëmbim te territoreve”! Dhe kur është fjala për këtë lloj shkëmbimi, këtë e ka sqaruar vetë Agim Bahtiri, kur shpjegoi se me kërkesë të Thaçit kishte shkuar në Preshevë për të parë konkretisht se cila pjesë e Luginës mund t’i bashkohej Kosovës. Ai ka deklaruar atë që unë e kisha shkruar me kohë, se “Serbia do t’i jepte Kosovës disa fshatra me toka djerrë të Preshevës dhe asgjë më shumë”!
Dhe së fundi, fakti që në LDK dhe PDK zhurmën më të madhe për të mos iu bashkuar një koalicioni qeverisës me Kurtin e bëjnë protagonistët e ndarjes së Kosovës, na bën të kuptojmë se këta protagonistë kërkojnë mbështetje institucionale për ta vazhduar misionin e tyre. Por motivin e vërtetë e fshehin pas aksiomës “nuk votojmë ministrat e qeverisë Kurti për kryetar të Parlamentit”! Të moçmit thoshin se kur dëshiron të prishesh me dikë, mund ta bësh këtë për një cigare duhan. Thjesht thuaj se nuk ta jap një cigare edhe sikur të të çahet hunda për të dhe tjetrin do ta kesh armik përgjithmonë. Fabula është se mungon arsyeja. Prandaj ishte zakon që kutitë e duhanit ndërroheshin pa patur nevojë të bëhej kërkesë për këtë. E njëjta gjë ndodh me arsyetimin e mosvotimit të Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Parlamentit të Kosovës! Por në rastin konkret kjo cigarja e duhanit është me vlerë miliardëshe. Janë në lojë në favor të Serbisë qindra milard dollarë amerikanë pasuri.