Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me partnerët e koalicionit parazgjedhor, kanë prezantuar të mërkurën Programin Zgjedhor 2025-2029.
Nga krerët e këtij koalicioni, ky Program u quajt zhvillimor e integrues në mekanizmat ndërkombëtar
Kryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj ka thënë se ky program është rezultat i një punë dy vjeçare që përfshinë katër shtylla kryesore, e siç janë anëtarësimi urgjent i Kosovës në NATO, zhvillimi i hovshëm ekonomik, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE dhe me konceptin Kosova shtet i jetueshëm e jo i braktisur.
“Ky program është rezultat i një pune dyvjeçare. Rezultat i mbi 20 tryezave tematike-sektoriale, dhjetëra takimeve e konsultimeve të organizuara nga Aleanca e partnerët e ku kanë marrë pjesë qindra ekspertë të profileve e fushave të ndryshme, të ekonomisë e financave, arsimit e shëndetësisë, çështjeve sociale e kategorive të lirisë, sigurisë, politikës së jashtme e diplomacisë, energjisë, kulturës, ambientit, rinisë”, u shpreh Haradinaj.
“Programi ynë si moto e ka ‘Për një Kosovë ndryshe’. Për një Kosovë, për të cilën është punuar ndër breza dhe janë burgosur dhe e kanë dhënë jetën mijëra luftëtarë e patriotë.
vizoni ynë i shprehur në këtë Program për një Kosovë Ndryshe, një Kosovë sovrane, më të fortë, më demokratike e më të zhvilluar qëndron mbi 4 shtylla: Anëtarësimi urgjent i Kosovës në Nato, Zhvillimi i hovshëm Ekonomik, Përmbyllja e Dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE dhe me konceptin Kosova shtet i jetueshëm e jo i braktisur”, raporton Ekonomia Online..
“NATO, Liria dhe Shteti i Kosovës, janë projekt i përbashkët i yni me demokracitë perëndimore, dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Kosova do të jetë aty ku e ka vendin në NATO dhe BE. Kosova mund të jetë vend i sigurt dhe i pa cenueshëm duke qenë pjesë e NATO-s, e kjo nuk mund të bëhet me udhëheqje autoritare. Shtylla e rëndësishme është zhvillimi i hovshëm ekonomik”, ka thënë Haradinaj.
E kryetari i Nismas, Fatmir Limaj, ka thënë se ky program jep shpresë dhe mundësi, me ç’rast ka përmendur edhe objektivat e koalicionit.
“Në dertimin e këtij programi kemi ndërthurur dhe në krye përveç detyrave janë edhe njerëzit që do ta zbatojnë. Shumë është më rëndësi ndërthurja e njerëzve. Është një program i kapshëm konkret që atakon nevojat e njerëzve, një program që jep shpresë dhe mundësi. Ka për objektiv çlirimin e këtij populli. Ne kemi mbledhur shqetësimet, është një program dinamik që do të ju përshtat nevojave dhe kërkesa te vazhdueshëm. Objektivat tona janë në reforma, Kosovës i duhet urgjentisht një reformë fiskale. Mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme. Kosovës i duhet kthimi i modelit të partneritetit publiko-privat. Objektivi ynë është mirëqenia në familje. Objektiv është edhe sektori energjetik. Termocentralet do të jenë objektivi i yni. Për të pasur një zhvillimi ekonomik, bujqësia duhet që të jetë epiqendra. Për të pasur një zhvillim ekonomik na duhet sektori i turizmit të fuqizohet”, u shpreh Limaj.