Lajme

Abdixhiku: Brenda 100 ditëve riorganizim i të gjitha strukturave në LDK

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
2:09 / 1 February 2026

Kuvendi miraton dy deklarata dhe nis reformën e brendshme partiake, me synim funksionalizimin e çdo dege e nëndege në gjithë Kosovën.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur që Lumir Abdixhiku të vazhdojë të udhëheqë partinë, duke e konfirmuar atë kryetar në Kuvendin e mbajtur sot.

Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit, Abdixhiku bëri të ditur se janë miratuar dy deklarata të rëndësishme, njëra që lidhet me gjendjen politike në vend dhe tjetra për organizimin e brendshëm të partisë.

Ai theksoi se LDK-ja do të nisë një angazhim të gjerë strukturor në të gjithë Kosovën, duke paralajmëruar riorganizim të plotë të partisë në afat prej 100 ditësh, me qëllim që çdo degë dhe nëndegë të jetë funksionale.

“Miratuam dy deklarata në këtë Kuvend që do të bëhen publike. Njëra mbi gjendjen politike në vend dhe tjetra për organizimin e LDK-së. Ky organizim dhe riorganizim duhet të nisë sa më parë në mënyrë që LDK-ja të jetë funksionale në çdo degë dhe nëndegë. Rruga përpara e LDK-së ka emër – rimëkëmbje”, tha Abdixhiku.

Ai u bëri thirrje të gjithë anëtarëve, përfshirë edhe atyre që kanë qenë të pakënaqur me politikat e partisë apo janë larguar nga funksionet, që të rikthehen dhe të kontribuojnë për një qëllim të përbashkët.

“Pas çdo vendimi të shumicës do të ketë rreshtim prapa një ideje më madhore. Gjërat nuk mund të vazhdojnë siç i kemi pasur deri më tani. Nga e hëna do të kemi një angazhim strukturor gjithandej Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas Abdixhikut, procesi i reformimit synon rimëkëmbjen dhe forcimin e LDK-së si një alternativë më funksionale dhe më e bashkuar në skenën politike të vendit.