Lajme

Abdixhiku del me një video, ia numëron Kurtit “aferat” dhe ka një porosi për qytetarët

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:28 / 21 August 2023

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me arrestime e fundit të zyrtarëve të MINT-it dhe biznesmenit Ridvan Muharremi nën dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Abdixhiku ka publikuar një video në profilin e tij në Facebook ku ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit duke thënë se “aferat” e fundit janë vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë.

“Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim – është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë. Po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë”, shkruan Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Mendojeni për pak.

Çfarë po provojnë të arsyetojnë?

– Një Kryeministër që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të.

– Një mik Kryeministri që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, vendosë t’i marrë – siç na thotë Kryeministri vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer.

– Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë.

Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion!

Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni!

Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim!

Asgjë mangut sot.

Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim – është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë. Po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë.

Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një Qeveri e Kryeministër që mbron kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij?

Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë. ‘Rruga e re’ po vjen, si domosdoshmëri e vet kohës, dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë. #rrugaere