Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do ta ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti, ndërsa vendimi për pranimin ose jo të saj do të merret përmes votës së delegatëve.
Abdixhiku këto deklarata i ka bërë pas një mbledhjeje disaorëshe të martën me bashkëpunëtorët e tij në selinë qendrore të LDK-së. Ai theksoi se ofrimi i dorëheqjes është një proces demokratik dhe se Kuvendi i partisë është organi i vetëm që vendos për këtë çështje.
Sipas tij, çdo anëtar i LDK-së ka të drejtë të shtrojë kandidaturë individuale për postin e kryetarit, duke nënvizuar se partia mbetet e bashkuar dhe se të gjitha çështjet do të formalizohen përmes organeve partiake.
Abdixhiku sqaroi se takimi i sotëm me bashkëpunëtorët ka qenë joformal, ndërsa mbledhja e parë formale do të jetë ajo e Kryesisë së LDK-së, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme. Pas kësaj, do të thirret edhe Kuvendi i partisë.
LDK-ja është unike, është e bashkuar, i shtron çështjet në konsultime të tilla dhe do t’i formalizojë tutje në organet partiake. Ishte takim joformal i kryetarit me bashkëpunëtorët e vet. Takimi i vetëm formal është ai i Kryesisë që pritet të ndodhë javën e ardhshme. Pas mbledhjes së Kryesisë, do të mbahet Kuvendi i LDK-së”, ka thënë ai të martën mbrëma.
Ai shtoi se në rast se Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen e tij, do të jetë i obliguar të vazhdojë detyrën e kryetarit, duke theksuar se shmangia nga vendimi i anëtarësisë do të ishte e papërgjegjshme.
“Çdo vendim që do të merret, do të jetë vendim i përbashkët dhe në përputhje me vullnetin e Kuvendit të LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku