Kryetari i LDK-së thotë se partia nuk ndikohet nga “sulmet e paguara” dhe mbron qëndrimin e deputetit të sapozgjedhur dhe djali të intelektualit ikonik, Xhemail Mustafës.
Pas deklaratës së deputetit të sapozgjedhur të LDK-së, Besian Mustafa, i cili e cilësoi si “gabim trashanik” votimin e presidentit Hashim Thaçi nga LDK në të kaluarën, kanë reaguar shumë analistë politikë, duke kritikuar Mustafën dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Lidhur me këtë situatë, ka reaguar edhe vetë Abdixhiku përmes një postimi publik, ku u është drejtuar kritikëve me tone të ashpra. “Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian?”, shkroi ai, duke i quajtur reagimet ndaj Mustafës si sulme të paguara dhe të porositura.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja nuk matet me “tituj portalesh mercenarizmi” dhe as me opinione të porositura, duke shtuar se partia e tij ka mbështetjen e anëtarësisë dhe nuk ndikohet nga sulmet e jashtme.
“LDK është e fortë nga brenda dhe pikërisht kjo i bën nervoz kundërshtarët. Unititeti ynë është pengesë për pazare dhe interesa primitive,” shkroi ai.
Kryetari i LDK-së deklaroi se partia do të vazhdojë të përgjigjet jo me mllef, por me punë, program dhe vizion për të ardhmen. Ai e cilësoi Besian Mustafën si “politikan shembullor” dhe përfaqësues të brezit të ri të politikës.
Në fund, Abdixhiku tha se është i gatshëm të ballafaqojë publikisht ata që, sipas tij, po aktivizohen kundër LDK-së përmes sulmeve të organizuara.
“Nuk na dobësojnë. Na bëjnë më të qartë pse jemi këtu,” përfundoi ai.