“Duhet të kesh qenë për tri vite tërësisht jashtë Kosovës ose në gjumë për të mos kuptuar se gjendja ka ndryshuar rrënjësisht”.
Kështu e përkufizoi krejt bindjen e tij të shoqëruar me të dhënat e fundit nga terreni rreth asaj se ku qëndron Lidhja Demokratike e Kosovës, kreu i kësaj partie Lumir Abdixhiku. Në një intervistë, i pari i LDK-së u shpreh bindshëm i sigurt se qëndrojnë favoritë në nivel vendi për zgjedhje parlamentare.
Duke shpalosur matjet e fundit në nivel rajonal, Abdixhiku tha se janë diku 39-40 përqind në rajon të Pejës, përkatësisht në Pejë, Istog, Klinë, Deçan e Junik.
Ai shtoi se në rajonin e Prishtinës qëndrojnë rreth 36-37 për qind.
Tutje u shpreh optimist se i pret një prospekt premtues zgjedhor.
“Ne nuk e bëjmë percepsionin tonë në bazë të ndjenjës; e as në bazë të mjeteve propaganduese; i kuptojmë por s’i mirëkuptojmë fare; e as bizneset që duan të lidhen kaq shumë me pushtetin”, tha Abdixhiku për Nacionale, referuar matjeve të UBO Consulting javë më parë që nxirrnin Lëvizjen Vetëvendosje rreth 48.5 përqind.
Ato matje “ishin matje për të dekurajuar kundërshtarin”, thotë Abdixhiku, teksa i interpreton krejtësisht si “mjet propagandues”.