Lajme

Abdixhiku: Kuvendi i LDK-së thirret më 31 janar, vendimmarrje përmes demokracisë së brendshme

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
7:49 / 19 January 2026

Kryetari i LDK-së thotë se Kuvendi nuk është krizë, por mundësi për bashkim dhe forcim të partisë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së partisë, ku pas diskutimit të hapur dhe të përgjegjshëm është marrë vendimi që Kuvendi i LDK-së të thirret më 31 janar.

Sipas Abdixhikut, Kuvendi është organi ku, në përputhje me statutin dhe traditën demokratike të partisë, vendoset për çështjet më të rëndësishme. Ai theksoi se kjo është mënyra e veprimit të LDK-së – me rregull, transparencë dhe respekt për anëtarësinë.

“LDK i zgjidh çështjet e brendshme aty ku e kanë vendin; në organet e saj dhe para delegatëve të zgjedhur,” deklaroi Abdixhiku.

Në një kohë kur politika, sipas tij, shpesh ushqehet me tension dhe gjuhë përçarëse, Abdixhiku tha se LDK zgjedh maturinë, qetësinë dhe dialogun e gjerë, duke besuar në demokracinë e brendshme. Ai theksoi se debati është i shëndetshëm, ndërsa përçarja pa debat dhe pa demokraci është e dëmshme për partinë.

Duke folur për Kuvendin e 31 janarit, Abdixhiku theksoi se ai nuk duhet parë si krizë, por si mundësi. “Mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe për të dalë më të fortë nga ky proces,” tha ai.

Kryetari i LDK-së rikujtoi se partia ka kaluar shumë sfida ndër vite, por gjithmonë ka ditur të ruajë boshtin e saj – demokracinë, dinjitetin dhe besimin te anëtarësia. Sipas tij, edhe këtë herë LDK do të dalë më e bashkuar dhe më e përgatitur për sfidat që e presin, pa i llogaritur fatet individuale.

“Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë, as kur është e lehtë, e sidomos kur është e vështirë,” tha Abdixhiku, duke shtuar se partia është ndërtuar për shërbim dhe përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili individ.

Ai përfundoi se pas 31 janarit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur për betejat politike që e presin.