Anëtarët e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) mblidhen të shtunën, me ftesë të kryetarit Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave – rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.
Abdixhiku ka thënë se e ka ofruar dorëheqjen e tij dhe tani vendimi i përket Kuvendit nëse do ta pranojë ose jo.
Mirëpo, disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme.
Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, Abdixhiku ka thënë pak para nisjes së punimeve të Kuvendit se ky është organi më i lartë i partisë dhe rrjedhimisht ai vendos për gjithçka.
“I siguroj të gjithë anëtarët LDK-së që nga ky debat do të dalim edhe më të unifikuar, edhe më të fortë, e më të gatshëm për të ardhmen më të mirë që na pret përpara. Me shumicë votash e përcaktojmë fatin tonë politik”, ka thënë Abdixhiku.