Lidhja Demokratike e Kosovës, sot, mbajti ciklin e radhës së takimeve në Viti, ku të pranishëm ishin edhe struktura, veprimtarë e qytetarë të shumtë nga Gjilani, Kamenica dhe Novobërda.
Ky takim, për temë diskutimi kishte arsimin, aftësimin dhe punësimin, ndërsa folësit në panel ishin: Hykmete Bajrami, Besian Mustafa, Jehona Lushaku, Fatbardha Emini, Nevrije Ismajli dhe Mirlinda Axhami-Hysa, transmeton Klankosova.tv.
Takimin e hapi kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili në fjalën e tij tha se tema e sotme që për fokus e ka arsimin është në harmoni me vlerat që i ka kjo anë, me ç’rast e potencoi edhe faktin që shkolla e parë shqipe në vend u hap pikërisht në Viti.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij, tha se në Anamoravë jemi mbledhur për të shtruar një temë jetike për shoqërinë tonë, atë të arsimit, aftësimit e punësimit.
Më tej, kryetari Abdixhiku, tha se, LDK ka nevojë të dëgjojë zërin e secilit qytetar, të dëgjojë zërin e secilit mësues, mjek, punëtor, ndërmarrës, e shërbyes publik, sepse LDK ka nevojë të kuptojë nga rrënjët e saja, nga vet baza, fotografinë e vërtetë të problemeve tona dhe mbi këto probleme do të ofrojë dhe zgjidhjet e veta.
“LDK ka nisur trasimin e rrugës drejt fitores së madhe”, nënvizoi kryetari Abdixhiku.
“Popullizmi nuk sjellë çmime të përballueshme, nuk sjellë vende të punës, nuk sjell cilësi në shërbime, nuk sjellë as arsim, as shëndetësi e as mirëqenie të qëndrueshme, dhe as nuk bën përpjekjen më minimale në përballjen e përditshme të familjeve tona me krizën e re të çmimeve”, theksoi kryetari Abdixhiku.
Kryetari Abdixhiku, i ftoi të gjithë të bashkohen në hartimin e programit qeverisës “Lidhja për të ardhmen”, dhe shtoi se LDK ka kapacitete të jashtëzakonshme; 28 ekipe tematike të angazhuara për secilën fushë, e me dhjetëra profesionistë për secilën prej tyre.
Në fund të fjalës së tij, kryetari Abdixhiku, tha se duhet të lidhemi në një lidhje për të ardhmen, në mënyrë që t’i japim vendit një qeverisje moderne, të guximshme e me vlera të djathta e rugoviste, që e shpijnë Kosovën përpara.
Sot, paraprakisht, kryetari Abdixhiku, mbajti nga një fjalim përshëndetës edhe në dy kuvende zgjedhore: Forumit të Gruas dhe atij të Rinisë të LDK-së në Viti, me ç’rast i përgëzoj për procesin e arritur të zgjedhjeve, të cilat i quajti festë për LDK-në.