Lajme

Abdixhiku: Respektojmë verdiktin dhe do të marrim përgjegjësi

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
5:56 / 31 December 2025

Kreu i LDK-së flet për reflektim, përgjegjësi politike dhe paralajmëron vendime në kohën e duhur.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve nacionale, duke pranuar se epilogu elektoral nuk ishte ai që ai dhe partia kishin synuar, por duke theksuar se verdikti i qytetarëve duhet respektuar.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, miqve dhe mbështetësve, Abdixhiku e ka cilësuar rezultatin si të dhimbshëm për shumë anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së, por ka theksuar se vendimi i qytetarëve është i pakontestueshëm.

“Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që synova e synuam; ishte i dhimbshëm për shumë prej nesh. Por është verdikti i qytetarëve tanë, dhe para këtij vendimi përulemi me respekt,” ka shkruar ai.

Abdixhiku ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, kanë besuar dhe kanë sakrifikuar për LDK-në, duke pranuar edhe zhgënjimin e përbashkët pas zgjedhjeve.

Ai ka theksuar se ky është edhe një moment reflektimi personal, duke thënë se ka dhënë maksimumin me ndershmëri dhe përkushtim, por se ndonjëherë edhe kjo nuk mjafton.

“Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha,” ka deklaruar kreu i LDK-së, pa dhënë detaje konkrete për hapat e ardhshëm politikë.

Në fund, Abdixhiku ka ndarë edhe një mesazh personal, duke thënë se fundviti do ta gjejë pranë familjes dhe dy vajzave të tij, të cilave u ka borxh më shumë kohë dhe përkushtim.

Ai ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026, duke bërë thirrje për më shumë njerëzi, drejtësi dhe besim në të ardhmen e Kosovës.

“Shëndet, paqe në shtëpitë tuaja dhe besim se e mira, sado vonë të vijë, vjen gjithmonë,” ka përfunduar Abdixhiku.