Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), duke theksuar se një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse ndodh një reformim i kësaj partie.
Në një deklaratë për media, Abdixhiku theksoi se ofendimet e vazhdueshme nga ana e VV-së përforcojnë arsyet për të mos bashkëpunuar me ta:
“Kryesia e LDK ka autorizuar grupin parlamentar që të veprojë sipas rrethanave politike. LDK tashmë ka lëvizur nga pozicioni i vet me tendencë të qartë për zhbllokimin e situatës. Pra nuk kemi dashur asgjë për vete, kemi krijuar qeveri të unitetit në mënyrë që të shmanget kriza institucionale. Fatkeqësisht ne jemi peng i një njeriu të vetëm i cili nuk e kupton as demokracinë, as pragmatizmin as nevojën që duhet për shumicë. Për këtë çështje LDK nuk mund të bëjë më asgjë më tepër se kaq. Ka tendencë të partisë së parë të vazhdojë tutje me bllokadë. Unitetin e refuzuan, në ndërkohë vazhdojnë me ofendime mëngjes e mbrëmje, që na japin shumë arsye, që t’u shpjegojmë anëtarësisë sonë dhe votuesve se pse bashkëpunimi me ta është i pamundur. Të ju them të drejtën, unë kam besu shumë që në këtë proces të refuzimit tonë të bashkëpunimit me ta do të ndodhte një reformë e VV-së, unë du t’ju them qartë se pa një reformim të VV-së, bashkëpunimi është i pamundur”, ka deklaruar Abdixhiku.