Kryetari i LDK-së akuzon qeverisjen e kaluar për izolim dhe vite të humbura, ndërsa u bën thirrje qytetarëve për bashkim dhe ndryshim.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke i cilësuar ato si zgjedhje që përcaktojnë “kush jemi dhe kush duam të jemi” si vend. Në një deklaratë drejtuar qytetarëve brenda dhe jashtë Kosovës, Abdixhiku tha se me shpalljen e zgjedhjeve “ka nisur një faqe e re për vendin”, një faqe që sipas tij duhet të shkruhet me shpresë e besim, jo me mllef apo frikë.
Ai kritikoi ashpër qeverisjen e kaluar, duke thënë se “e ka plandosur vendin në izolim dhe zhgënjim, me vite të humbura”, ndërsa theksoi se ndryshimi është tashmë i mundur dhe në dorën e qytetarëve.
Abdixhiku deklaroi se Kosova ka potencial për më shumë sesa krizë dhe kaos, duke theksuar se vendi është i aftë të ndërtojë shtet, të hapë horizonte dhe të rikthejë dinjitetin. Sipas tij, zgjedhjet nuk janë vetëm një garë për qeveri, por një vendim i rëndësishëm për identitetin dhe drejtimin e vendit.
Kreu i LDK-së u bëri thirrje qytetarëve për një “bashkim qytetar” dhe kërkoi mbështetje për rrugëtimin që, siç tha ai, nuk është vetëm i partisë, por i të gjithë Kosovës. Ai vuri në pah rëndësinë e rrugës euroatlantike dhe nevojën për një qeverisje që ndërton, jo që ndan.
“Le të ringrejmë besimin e këtij vendi. Le ta hapim kapitullin e ri të Republikës me votë, me demokraci, me kurajo”, tha Abdixhiku, duke shtuar se 28 dhjetori shënon fillimin e një epoke të re për Kosovën, e cila sipas tij “këtë herë duhet të shkruhet prej të gjithëve”.
Në përmbyllje, ai ftoi qytetarët t’i bashkohen “misionit fisnik” për t’i sjellë, siç u shpreh, “dritë Republikës”.