Të kapur dhe vegël të opozitës e ka quajtur Prokurorinë Speciale, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.
Këtë deklaratë, Abrashi e ka bërë pas raportimeve se kjo prokurori ka nisur hetimet ndaj ministrit Aliu lidhur me rastin e ambalazhuesve.
Sipas tij, opozita po i reziston reformës, ndërsa prokuroria vettingut, e falë pazareve e favoreve nga e kaluara janë bërë bashkë kundër LVV-së.
“Prokuroria speciale çdo ditë e më shumë po i ridëshmon dy gjëra: që është e kapur dhe vegël e opozitës. Vetëm disa ditë pas paralajmërimeve nga deputetë opozitarë se disa ministra po hetohen, fillojnë raportimet për hetimet ndaj ministrit Aliu. Opozita po i reziston reformës. Prokuroria po i reziston vettingut. Kjo bashkë pazaret e favoret nga e kaluara i ka bërë bashkë në një ekip, all-in kundër LV-së, por edhe kundër vullnetit të qytetarëve”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Të hënën disa media kanë raportuar se Prokuroria Speciale ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në çështjen e ambalazhuesve të ujit, ku i pandehur rezulton të jetë Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu.