Lajme

Agusholli: Zgjdhjet e parakohshme mund të mbahen në vjeshtë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:33 / 4 June 2024

Mundësia për zgjedhje të parakohshme duket të mos jetë e mundur aktualisht.

Pas propozimeve për datë të zgjedhjeve nga PDK e kërkesave për dorëheqje të Kurtit nga LDK e AAK, tema e zgjedhjeve është heshtur.

Deputeti nga Lëvizja Vetvendosje, Gramos Agusholli, thotë se gjasat për zgjedhje në verë janë të vogla, por mund të ketë zgjedhje gjatë vjeshtës.

Agusholli në një prononcim për GazetaBlic, thotë se më e mira do të ishte që qeveria të përfundonte mandatin e plotë dhe pastaj të shkohet në zgjedhje, pasi që ende ka shumë punë për të bërë.

“Mendoj se më e mira do të ishte që Qeveria të përfundonte mandatin e plotë dhe pastaj të shkohet në zgjedhje. Ende ka shumë punë për t’u bërë dhe, përderisa Qeveria i ka votat për të kaluar shumicën e ligjeve në favor të qytetarëve, nuk ka arsye që ky proces të shtyhet me hyrjen në zgjedhje. Ndërkohë, duhet të shfrytëzohet çdo mundësi për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të zbatuar reformat e nevojshme”, tha ai.

Tutje, deputeti thotë se gjasat për zgjedhje gjatë verës janë shumë të vogla, por mund të ketë zgjedhje në vjeshtë varësisht nga zhvillimet politike dhe mënyrës se si shkojnë gjërat.

“Gjasat për zgjedhje në verë janë të vogla, por mund të ketë zgjedhje në vjeshtë, në varësi të zhvillimeve politike dhe mënyrës se si do të shkojnë gjërat. Për të siguruar stabilitetin dhe vazhdimësinë e politikave të nisura, është e rëndësishme që mandati të respektohet deri në fund. Një tranzicion i papritur mund të krijojë paqartësi dhe të vonojë përparimin e bërë deri më tani”, përfundoi Agusholli për GazetaBlic.