Arben Ahmeti – Komentator politik ka thënë se nuk është mëkat e as paragjykim kalimi i deputetes Doarsa Kica- Xhelili nga pozita në opozitë.
Ahmeti më tej, ka thënë se beson që Kica – Xhelili, është viktimë e një mekanizmi që e ka gabim reformimin e LDK-së.
“Sa i përket lëvizjes së saj individuale, nuk e gjykoj aspak negative. Cka po mendoj unë është se, ajo është viktimë e një mekanizmi që e ka gabim këtë lloj reformimi dhe këtë lloj ndryshimi të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kushdo që është duke e hartuar reformimin e LDK-së, së Lumirit, është duke e bërë gabim, për shkak se, LDK-ja, tradicionalisht e ka pasë problem mungesën e grupeve që aderojnë në parti”, tha ai në emisionin Politiko.
Ahmeti më tej tha se Abdixhiku duhet të fillojë një reformim të vërtetë të LDK-së, dhe të jetë i hapur ndaj grupeve dhe jo vetëm individëve.
“Ajo çka më pengoj shumë është deklarata e Lumirit, që tha se nuk jemi të interesuar për grupe, po për individë. Tradicionalisht, ky ka qenë problem i LDK-së, ky ka qenë problem i partisë. LDK-ja, sidomos Lumiri duhet të fillojë një reformë të vërtetë të LDK-së, natyrisht Lista Guxo duhet me qenë adresa e parë për ta rikthyer lëvizjen e dikurshme.”, tha ai.