Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka folur hapur për tensionet aktuale mes Prishtinës dhe Tiranës, si dhe për përplasjen mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për RTSH, Ahmeti theksoi se qëllimi i tij dhe i kryeministrit Rama ka qenë gjithmonë pozitiv në raport me Kosovën, pavarësisht perceptimeve të ndryshme në opinionin publik.
“As e kemi menduar, as kemi punuar ndonjëherë kundër saj – përkundrazi, jemi përpjekur të punojmë për të mirën e çdo force politike në vend,” deklaroi Ahmeti.
Sipas kreut të BDI-së, ai dhe Rama janë përpjekur të luajnë një rol aktiv në qetësimin e situatës, duke përdorur lidhjet me partnerët ndërkombëtarë.
“Nuk jemi njerëz pa miq në Bruksel dhe Uashington që mund të ndikojmë për Kosovën. Si unë si Rama ia kemi thënë shqetësimet e tyre Albin Kurtit. Por nuk ka pasur reagim,” u shpreh Ahmeti.
Ai zbuloi gjithashtu se ka zhvilluar disa biseda me kryeministrin shqiptar për të gjetur rrugëdalje nga kriza aktuale.
“Kemi folur disa herë me Ramën për këtë çështje. Ai më ka pyetur se si mund të dilet nga kjo situatë,” tha Ahmeti.