Lajme

Alban Hyseni zyrtarizohet për mandatin e dytë në Gjilan – mbështetje e plotë nga Kurti dhe kryesia e VV-së

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:40 / 4 June 2025

Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, është nominuar zyrtarisht nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një mandat të dytë në krye të qytetit. Në një takim të zhvilluar sot në Gjilan, ku morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, sekretari organizativ Arben Vitia, koordinatori i qendrave Arbër Rama dhe deputeti Arbër Zyba, u shpreh unitet i plotë në mbështetje të Hysenit për vazhdimin e qeverisjes lokale.

“Qeverisjes së mirë ia zgjatim dorën dhe ia japim mbështetjen e parezervë,” u tha në takim, ku u theksua vendosmëria për ta çuar përpara agjendën e zhvillimit dhe mirëqeverisjes në komunën e Gjilanit.

Njoftimi i LVV-së:

Qeverisjes së mirë ia zgjatim dorën e ia japim mbështetjen e parezervë!

Me Kryetarin Alban Hyseni për fitoren e rradhës në Gjilan, për mandatin e dytë.

Kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, në takimin e sotëm me pjesëmarrje të Kryeministrit Kurti, sekretarit organizativ Rama dhe koordinatorit të qendrave, deputetit Zyba, me unitet të konfirmuan mbështetjen dhe njëherazi vendosën për nominimin e kryetarit Alban Hyseni për mandatin e dytë, për të vazhduar mirëqeverisjen për qytetarët e komunës së Gjilanit.

Puna dhe qeverisja e mirë dhe e ndershme e kryetarit Hyseni dhe ekipës së tij vërehet gjithandej Gjilanit dhe në të gjitha drejtimet.

Në infrastrukturën rrugore janë investuar mbi 11 milionë euro, duke përfshirë vetëm për Rrugën “Hamdi Kurteshi” rreth 2.4 milionë euro. Janë ndërtuar e përmirësuar rrugë në shumë fshatra si Demiraj, Miresh, Shillovë, Vërbicë e Kmetocit, ndërsa në qytet janë krijuar hapësira të gjelbra dhe rekreative si Parku Urban, Parku te palestra, ai në lagjen Iliria dhe Parku Banja.

Në fushën e arsimit janë investuar mbi 9 milionë euro. Vetëm për ndërtimin e Shkollës së Mjekësisë janë ndarë 3.3 milionë euro, ndërsa për pesë çerdhe të reja 2.92 milionë euro. Janë ndarë edhe miliona euro për renovimin e shkollave ekzistuese, për ndërtimin e shkollave të reja, për laboratorë shkencorë, për kushte më të sigurta në objekte arsimore dhe për shërbime të tjera mbështetëse për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Në shëndetësi, janë investuar rreth 2 milionë euro. Janë ndërtuar dhe funksionalizuar objekte të reja si QMF në lagjen Arbëria, Qendra e Mjekësisë Familjare në Përlepnicë dhe ambulanca në Malishevë, si dhe janë renovuar qendrat ekzistuese në të gjithë territorin.

Rrjeti i ujësjellësit është zgjeruar me investime që kapin vlerën prej 1.5 milionë eurosh. Projekte konkrete janë realizuar në fshatra si Vërbicë, Vrapçiq, Gadish, Uglar dhe Cërnicë, duke siguruar qasje më të mirë në ujë të pijshëm për banorët.

Në bujqësi, për periudhën 2022–2024 janë ndarë gjithsej 2.8 milionë euro. Janë mbështetur fermerët me serra, kultivatorë dhe sisteme ujitjeje, ndërkohë që është ofruar edhe subvencion direkt për qumështin – 10 cent për çdo litër të prodhuar.

Në fushën sociale, janë investuar 2.5 milionë euro për ndërtimin e shtëpisë për të moshuarit, qëndrimin ditor dhe kuzhinën popullore. Janë krijuar kushte moderne dhe të përshtatshme për kujdesin dhe trajtimin e të moshuarve, veçanërisht në Shillovë dhe fshatra të tjerë.

Kultura dhe rinia janë mbështetur me investime domethënëse: 1.2 milionë euro për Kult Qendrën dhe 815 mijë euro subvencione për projektet e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Ndërkohë, kemi krijuar edhe bibliotekën e parë tërësisht të digjitalizuar në komunën tonë.

Në sport janë investuar 2.8 milionë euro për rinovimin e palestrës ekzistuese dhe janë ndërtuar gjithsej 13 terrene sportive të shpërndara në qytet dhe fshatra. Ndërkohë që pak ditë më parë, kanë nisur edhe punimet për projektin aq të nevojshëm për sportin në Gjilan, ndërtimin e stadiumit të futbollit të qytetit.

Në fund, edhe infrastruktura e transportit publik ka marrë vëmendjen e merituar, me 1 milion euro të investuara në ndërtimin e Stacionit të ri të Autobusëve, i cili përfshin parking nëntokësor, perona të rinj dhe infrastrukturë moderne.

Që punët e mira e projektet e shumta të vazhdojnë, në Gjilan, do të vazhdohet me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me kryetarin Alban Hyseni.

Urime të gjithë qytetarëve të Gjilanit! Na priftë e mbara bashkë për fitoret e reja.