NGA: NIJAZI HALILI
Kosova ndodhet sot përballë një krize të thelluar politike, institucionale dhe funksionale, e cila po e vë në pikëpyetje jo vetëm stabilitetin e brendshëm demokratik, por edhe kredibilitetin ndërkombëtar të shtetit. Në një kontekst të tillë, është e domosdoshme që Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të marrë një rol proaktiv dhe të përgjegjshëm për t’i dhënë fund kësaj krize që po e dëmton rëndë shtetin e Kosovës.
Që prej zgjedhjeve të fundit dhe zhvillimeve të tensionuara në Kuvend, diskursi politik në Kosovë ka hyrë në një fazë polarizimi të skajshëm, me pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e institucioneve dhe në përfaqësimin e interesave shtetërore. Refuzimi i dialogut politik të brendshëm, mungesa e konsensusit për çështje madhore kombëtare dhe përplasjet e shpeshta me opozitën kanë krijuar një situatë bllokimi politik dhe institucional.
Për më tepër, përkeqësimi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe aleatët strategjikë, sidomos si rezultat i qasjes së njëanshme në çështjet e ndjeshme të sigurisë dhe të veriut të vendit, ka prodhuar pasoja të paprecedenta për Kosovën, përfshirë sanksione diplomatike dhe pezullim të përfitimeve nga programet ndërkombëtare. Kjo gjendje reflekton jo vetëm krizën e menaxhimit politik, por edhe një deficit të qasjes shtetërore në trajtimin e sfidave komplekse të periudhës post-konflikt.
closevolume_off
Në këto rrethana, rolit të Kryeministrit në detyrë i kërkohet maturi shtetërore, përgjegjësi politike dhe vizion bashkëpunues. Çdo vonesë në adresimin e krizës rrezikon të thellojë përçarjet, të dëmtojë integritetin e institucioneve dhe të humbasë momentumin e ndërtuar ndër vite për shtetndërtimin demokratik dhe integrimin evropian.
Zgjidhja nuk qëndron në retorikën e konfrontimit, por në angazhimin e sinqertë për dialog të brendshëm politik, krijim të një pakti institucional mbi interesat madhore të shtetit, si dhe në riaktivizimin e partneritetit me faktorin ndërkombëtar. Vetëm përmes ndërtimit të një konsensusi politik dhe institucional, Kosova mund të rikthehet në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të legjitimitetit demokratik.
Nëse Kryeministri në detyrë Albin Kurti aspiron të mbetet në histori si lider reformues, i duhet të dalë nga logjika e dominimit të pushtetit dhe të shfaqet si faktor uniteti, stabiliteti dhe zgjidhjeje.
Historia nuk i shpërblen ata që thellojnë krizat, por ata që i zgjidhin dhe menaxhojnë ato.
Autori; Nijazi Halili