Kryeministri në detyrë vlerëson rolin e artit në zhvillimin e pakthyeshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe përgëzon artistin për koncertet maratonë në Prishtinë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zbuluar detaje nga takimi i tij i parë i gjatë me artistin e njohur shqiptar, Alban Skënderaj. Përmes një reagimi publik, Kurti tha se biseda e tyre ka prekur tema thelbësore për shoqërinë, si energjia, liria, progresi dhe kureshtja që karakterizon rininë shqiptare sot.
Ai theksoi se raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë po ecin drejt një zhvillimi të pakthyeshëm, të udhëhequr edhe nga arti e kultura.
“Kosova dhe Shqipëria përpara kanë vetëm zhvillimin e pakthyeshëm, të cilit i prin edhe arti e kultura e artistëve tanë të shumtë,” u shpreh Kurti.
Kryeministri vuri në pah edhe maratonën e koncerteve të Skënderajt në Prishtinë, ku për katër netë radhazi artisti ka emocionuar mijëra adhurues me performanca mbi dy orëshe në palestrën “1 Tetori”.
“Përgëzime Albanit për koncertet e tij të jashtëzakonshme në Prishtinë. I uroj edhe shumë dekada të tjera karriere të suksesshme,” përfundoi Kurti, duke i adresuar artistit një urim të përzemërt për vazhdimësinë e krijimtarisë së tij.