Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka folur mbi masat e BE-së ndaj Kosovës. Ai tha se Turqia në parim beson se vetëm Këshilli i Sigurisë i OKB-së ka të drejtë të vendosë sanksione.
“Ne jemi kundër masave unilaterale, sanksioneve unilaterale, është principi ynë kryesor i politikave tona të jashtme, sepse ne besojmë se masat unilaterale janë kundërproduktive. E kemi parë këtë në rastin e Iranit dhe shteteve tjera dhe gjithashtu besojmë se trupi i vetëm ndërkombëtar që ka të drejtë të implementojë sanksione është Këshilli i Sigurisë i OKB-së”, deklaroi Angili.
Ambasadori shtoi se deklarata e zëvendëskryeministrit Bislimi dhe kryeministrit Kurti se zgjedhjet në veri mund të organizohen pasi të largohen masat e BE-së, është shprehje e frustrimit, pasi që ka pasur dakordim në Bratisllavë për këtë çështje.
“BE-ja përbëhet nga 27 shtete anëtare, nganjëherë procesi i vendimmarrjes është i vështirë. Sipas mendimit tim jo të gjitha shtetet e BE-së mendojnë se ajo që Kosova ka bërë është e mjaftueshme për deeskalim”, tha Angili.
Angili, ka folur edhe mbi zhvillimet në veri të vendit dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se është e padrejtë që vetëm njëra palë po fajësohet për situatën e tensionuar në veri të vendit, derisa shtoi se Kosova megjithatë mund të bëjë më shumë për të arritur progres në fushën e dialogut.
“Mendoj se fajësimi i njërës palë është i padrejtë në çfarëdo procesi negociator, pra siç thonë në anglisht duhen dy persona për të kërcyer tango, dialogu kërkon kontributin dhe interesin e vërtetë të të dyja palëve, pra mendoj se ka presion të padrejtë ndaj Kosovës, por mendoj se Kosova duhet gjithashtu të ndërmarrë disa hapa për të kontribuar për progres në këtë dialog dhe në marrëveshjen e arritur me 27 shkurt në Bruksel, që sipas mendimit tonë është kornizë e mirë dhe të gjitha pikat e asaj marrëveshje duhet të implementohen, duke përfshirë pikën 7”, tha Angili në Klan.
Angili tha se gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për t’i riorganizuar zgjedhjet në veri është i hap i duhur, ndërsa shtoi se organizimi i zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e serbeve nuk është ide e mirë.
“Mendoj se ishte një hap pozitiv nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri Kurti që hapur të deklaroj se është gati që t’i riorganizoj zgjedhjet, natyrisht në linjë me sistemin ligjor dhe Kushtetutën e Kosovës. Lista Serbe dhe serbët në veri duhet të marrin pjesë në këto zgjedhje, BE-ja, SHBA-të dhe akterët tjerë relevant duhet ta përgatisin terrenin për këtë gjë dhe nëse ndihma e Turqisë është e nevojshme ne jemi gati ta ofrojmë atë”, tha Angili.