Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, nën për përfshirje në spiunazh.
Sveçla tha se vepra me të cilën ngarkohet i lartëcekuri, përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, teksa tha se presin nga organet e rendit trajtim institucional me seriozitet të lartë.
Ministri në detyrë theksoi përkushtimin në luftimin e këtyre rasteve, teksa tha se do të ndiqen të gjithë akterët e Serbisë që operojnë kundër e në dëm të interesave të Kosovës.
“Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj.
Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, tha Sveçla.