Ish-zëvendëskryesues për Komunitet në Mitrovicën e Veriut, Emir Azemi, deklaroi se Kosova ka shënuar një fitore politike kur i mbajti zgjedhjet në komunat veriore, derisa tha se kjo bëri që edhe strukturat paralele të largohen nga institucionet.
Ai deklaroi në Konfrontin e KTV-së të mërkurën se strukturat paralele serbe gjenden në rrugë dhe aktualisht s’kanë pushtet në veri. Sipas tij, kjo që shihet në veri është etapa e fundit e një procesi të gjatë politik.
“Në etapën 2013-2020, kemi hapjen e veriut, por jo integrim të plotë. Kjo është etapa e fundit, ose integrim politik, ose diçka tjetër, që nuk besoj se do të ndodhë. Besoj se do prodhohet një marrëveshje më pak e dëmshme për këto rrethana për Kosovën…Kosova duhet të jetë e kujdesshme me faktorin ndërkombëtar”, deklaroi ai.
Sipas Azemit, serbët s’po i kursejnë trupat e KFOR-it në veri, ndërsa shtoi se problemet në veri janë shtyrë me vite të tëra për shkak të Serbisë.
“24 vjet kemi negociuar, e ende ura s’është hapur. Për këtë kemi ardhur në një pikë ku Kosova s’mund të sillet si krahinë, vendimi për t’i marrë objektet mund të jetë vendim që ka shkaktuar tensione, por cila do të ishte zgjidhja”, theksoi ai.