Pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, kanë nisur reagimet në skenën politike.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, përmes një postimi në Facebook, e ka përshëndetur këtë zhvillim duke e cilësuar si dëshmi konkrete se institucionet e Kosovës mund të funksionojnë pa Listën Serbe – të cilën e quan “dorë e zgjatur e Beogradit”, përcjell “Bota sot”.
Sipas tij, meritat për këtë ndryshim i takojnë plotësisht Albin Kurtit dhe LVV-së, që arritën të largojnë Listën Serbe nga qeverisja dhe drejtimi institucional pa ndihmën e mekanizmave të tjerë shtetërorë.
Shkrimi i plotë
PDK na e solli, LVV na e shporri.
Albin Kurti dhe LVV i ka të gjitha meritat që Lista Serbe, dorë e zgjatur e Beogradit në Kosovë, nuk është më në Qeveri dhe Kryesi të Kuvendit. Ai i vetëm, pa ndihmën e KQZ-së, pa ndihmën e Prokurorisë, tregoi se është e mundshme ligjërisht dhe politikisht që institucionet kryesore të Kosovës të funksionojnë pa Listën Serbe, dikur kumbare e krijimit të shumë qeverive dhe në fund pjesëmarrëse në sulmin terrorist në Banjskë.