Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar ministren e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, për manipulim me çmimin e energjisë elektrike të prezantuar për ndërmarrjet të dielën.
Sipas Bajramit, çmimi prej 64.55 euro për megavat-orë, i përmendur nga Rizvanolli si çmim i blerjes së energjisë nga KEK-u përmes bursës shqiptare të energjisë ALPEX, nuk përfaqëson koston reale që ndërmarrjet do të paguajnë.
“Sot 64 euro, nesër 99 euro – sa do të jetë pasnesër energjia që në treg të rregulluar kushton vetëm 29.6 euro?”, ka shkruar Bajrami në një postim në Facebook.Ajo ka shtuar se këtij çmimi fillestar i shtohen:
kosto e transmisionit (fitimi i KOSTT-it),
kosto dhe fitimi i distribucionit (KEDS),
kosto dhe fitimi i faturimit dhe inkasimit (KESCO),
dhe fitimi për vetë KEK-un.Bajrami pyet publikisht se pse KEK-u po blen energji nga ALPEX me çmim 64.55 euro për MWh, kur sipas saj çmimi në bursën hungareze HUPX është më i ulët, 53.69 euro.
“Pra, çmimi 64.55 euro për MWh nuk është çmimi final i energjisë, por është vetëm ajo që deri dje ka kushtuar 29.6 euro. Po Rizvanolli duhet me u përgjigjë: Pse KEK-u po blen sot energji në ALPEX me çmim 64.55 euro kur çmimi në HUPX qenka 53.69 euro edhe pse s’po ju tregon ndërmarrjeve a ka KEK-u kontratë afatgjatë për blerje të energjisë apo gjysma e ekonomisë së Kosovës është në mëshirën e tregtarëve e kumbarëve të energjisë. Psh. nesër çmimi mesatar në ALPEX do të jetë 99.87Euro MWh”, ka shkruar Bajrami.Ajo paralajmëron se pas 60 ditësh, kur të përfundojë periudha e KEK-ut si furnizues i mundësisë së fundit, çmimi për ndërmarrjet mund të arrijë deri në 260 euro për MWh.