Nënkryetarja e LDK-së bën thirrje për fonde emergjente dhe prani të shtetit në terren.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar që të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet e fundit të kompensohen dhe të marrin ndihmë emergjente nga shteti.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Bajrami ka theksuar se Qeveria duhet të jetë e pranishme në terren dhe pranë qytetarëve në këto situata të vështira. Ajo ka bërë thirrje për sigurimin e fondeve emergjente dhe për hartimin e një strategjie afatgjate për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
“Secili banor i prekur duhet të ndihmohet, secili biznes të kompensohet, secili bujk të mbështetet dhe çdo familje të marrë ndihmë emergjente. Meqë moti me shi po vazhdon dhe nesër priten reshje bore, ekziston rrezik për përmbytje të reja”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se shteti duhet të jetë në terren dhe pranë qytetarëve në komunat e prekura si Drenasi, Malisheva, Juniku, Gjakova dhe në zona të tjera. Sipas saj, Qeveria duhet të sigurojë fonde emergjente, të hartojë një strategji konkrete dhe të ndajë buxhet në vitin 2026 për parandalimin dhe menaxhimin më të mirë të situatave të tilla në të ardhmen.
Bajrami ka theksuar se veprimet konkrete janë të domosdoshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të shmangur pasojat e rënda nga fatkeqësitë natyrore.