Lajme

Baraliu për ngërçin institucional: Vazhdimi i kësaj situate mund të sjellë pasoja serioze për Kosovën!

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:38 / 3 May 2025

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, në emisionin special të RTK-së, ka thënë se pa marrëveshje politike, Kuvendi mbetet peng i interesave të ngushta partiake.Shqetësuese për Baraliun janë mandatet e Listës Serbe, ndërsa sipas tij, partitë shqiptare në asnjë formë nuk do të duhej të bashkëpunonin apo të kenë ndonjë koalicion.

“Ngërçi institucional në Kosovë po zgjatet gjithnjë e më shumë. Pa marrëveshje ndërmjet partive politike, konstituimi i Kuvendit mbetet peng i interesave të ngushta partiake. Situata ka krijuar një vakuum të rrezikshëm institucional që po pengon funksionimin normal të shtetit.“Wshtë një vakuum institucional që po zgjatet në mënyrë të panevojshme. Votimi i fshehtë është i ligjshëm, siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese, por ai është dashur të ndodhte qysh më 15 prill, ditën kur u thirr seanca për konstituimin e Kuvendit”, tha ai.

Baraliu thekson se palët politike duhet të lënë mënjanë interesat partiake dhe të unifikojnë qëndrimet për të mundësuar konsolidimin e institucioneve të reja.“Duhet bashkëpunim i të gjitha partive politike, për të dalë nga kjo krizë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë bashkëpunim me Listën Serbe. Kjo parti është e instrumentalizuar nga Beogradi dhe njerëzit e saj kanë qenë të përfshirë në agresionin ushtarak të Serbisë”, theksoi ai.

Baraliu ngriti shqetësime edhe për mënyrën si Lista Serbe ka fituar mandatet e saj në zgjedhjet e fundit.“Ka pasur manipulime, frikësime dhe presione të mëdha. Procesi zgjedhor është vlerësuar i dyshimtë nga vëzhgues ndërkombëtarë, dhe kjo e bën të diskutueshëm edhe legjitimitetin e përfaqësimit të tyre në Kuvend”, deklaroi ai.

Sipas Baraliut, vazhdimi i kësaj situate mund të sjellë pasoja serioze për Kosovën, përfshirë humbje të fondeve milionëshe dhe pengesë në vendimmarrjen shtetërore.“Humbjet janë reale – qoftë në fonde ndërkombëtare, qoftë në çështje strategjike të brendshme, si shtesat për FSK-në dhe Policinë e Kosovës. Të gjitha po bllokohen nga teke individuale të deputetëve”, tha ai.
Për aq kohë sa partitë politike nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, vendi mbetet në një krizë që rrezikon jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe besimin e qytetarëve në proceset demokratike.