Baton Haxhiu, gazetar, analist e drejtor i “Albanian Post”, ka shkruar një opinion, të cilin e ka titulluar “Letër e shkurtër publike për kolegët gazetarë, shoqërinë civile dhe për politikanët në Serbi”.
Aty z. Haxhiu shkruan edhe për Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës, të cilit thotë se nuk i beson, por se do ta përkrah në marrëveshjen me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë.
“Personalisht nuk kam besim te liderët si Albin Kurti. Miku im Edi Rama vërtet ka ego të madhe, por Albin Kurti shkon edhe më larg. Ndonjëherë dyshoj që i mungon tërësisht empatia për të kuptuar pasojat e veprimeve të veta. Si qytetar i thjeshtë, unë isha dhe vazhdoj të jem kundër Albin Kurtit, por, për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje asnjëherë nuk do ta gjykoj dhe përherë do ta mbroj.” – shkruan ndër të tjera z. Haxhiu.
Tutje, ai ka shkruar se të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe kolegët e tij në Serbi.
“Nëse Albin Kurti bëhet shkak që nipat dhe mbesat e mi të mos trashëgojnë mallkimet ballkanike, unë do ta përkrah me gjithçka. Ju lutem, për hir të nipave dhe mbesave tuaj, ndihmojeni Aleksandër Vucicin që ta bëjë të njëjtën.” – shkruan ai.