Lajme

Bedri Hamza: Rritja e çmimeve dhe tatimi në pronë po rëndojnë qytetarët dhe bizneset

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
2:56 / 27 November 2025

Kryetari dhe njëherësh kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, artikuloi kritika ndaj ish-qeverisë Kurti sa i përket menaxhimit të ekonomisë, duke vënë theksin te rritja drastike e çmimeve të produkteve esenciale dhe rrezikut që u kanoset qytetarëve nga rritja e tatimit në pronë.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon”, Hamza përshkroi një situatë të zymtë të standardit të jetesës në Kosovë, duke ilustruar krizën me rritjen e pakontrolluar të çmimeve të shportës bazë.

Kreu i PDK-së theksoi se qytetarët po përballen me një përkeqësim të dukshëm të fuqisë blerëse. Ai solli shembuj konkretë të ndryshimit të çmimeve brenda pak viteve, duke nënvizuar se si produktet bazike janë bërë luks për shumë familje.

“Kemi përkeqësim të standardit të jetesës. Merre çmimin e bukës, merre çmimin e vajit, merre çmimin e mishit. Nga 5 euro para disa viteve, sot është 13-14. Çmimin e energjisë elektrike.” – u shpreh Hamza.

Hamza shpjegoi zinxhirin ekonomik që dëmton bizneset dhe, përfundimisht, prodhuesin vendor. Ai argumentoi se ngarkesat e shumta fiskale dhe ato të energjisë po i bëjnë produktet kosovare jokonkurruese.

“Ndryshimi i ligjit për tatimin në pronë. Ai ka pasur me hy në fuqi në janar të këtij viti, por për shkak të zgjedhjeve është prolonguar hyrja në fuqi; por në janar të vitit të ardhshëm ai do të hyjë në fuqi. Njerëzit do të detyrohen të lirohen prej pronave, ose do të duhet të mendojnë se a e marrin objektin me qera, sepse mos po u del më lehtë apo tatimi i pronës. Krejt këto janë barrë për bizneset. Kur bizneset i kanë krejt këto barrë të energjisë elektrike, tatimit në pronë dhe obligimeve të tjera, ata e bartin çmimin final te konsumatori. Kështu dëmtohet prodhuesi vendor, sepse ai ballafaqohet me konkurrencën në treg.” – tha Hamza.

Sipas Hamzës, politikat e qeverisë së kaluar kanë krijuar një efekt zinxhiri që godet fuqinë blerëse të qytetarëve dhe konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë.