Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar të enjten se blerja e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia është lajm i mrekullueshëm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka bërë të ditur se sa dronë janë blerë nga Kosova dhe as buxhetin e ndarë për ta.
Megjithatë, Lushtaku u shpreh se Kurti përsëri po gënjen dhe dezinformon opinionin publik, raporton Paparaci.
Sipas tij, “ai nuk ka aftësi për asgjë tjetër, përveç se të gënjej dhe të bëjë propagandë”.
“Kësaj here, këtë e dëshmoi duke u thirrur në raporte të mira me Presidentin Erdogan, të cilin vite më parë e kishte krahasuar me Putinin e Vuçiçin. Për Turqinë kjo ka qenë dhe mbetet e papranueshme”, shkroi ai në Facebook.
Lushtaku pretendon se Turqia ka njoftuar Qeverinë e Kosovës, se blerja e dronëve është bërë e mundur vetëm falë raportit dhe respektit ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Nga Qeveria Kurti ende nuk i kanë komentuar pretendimet e Lushtakut.
“Unë personalisht kur isha në Turqi, kërkova që negociatat për dronët Bajraktar të përfundonin sa më parë dhe që mbështetja që Turqia i jep FSK-së të arrijë standardet më të larta të sigurisë! Urime Kosovë! Teşekkürler Başkan Erdoğan, Teşekkürler Türkiye!”, ka thënë ligjvënësi opozitar.
Kurti, ka konfirmuar të dielën se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti është parë në afërsi të dronëve, bashkë me ministrin e Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari.
“Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!” shkroi Kurti, duke i përgëzuar pjesëtarët e FSK-së që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.
Nga ana tjetër, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se pret nga institucionet e Kosovës që të koordinohen në lidhje me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve, përfshirë edhe ata Bayraktar TB-2.
Përmes një përgjigje dërguar Paparacit, KFOR-i kujton se komandanti i këtij misioni e ka autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës më 1999.