Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka shfaqur pretendimet e tij se qeveria Kurti II do të rrëzohet në pranverë.
Në këtë intervistë për Nacionalen, Berisha ka thënë se rrëzimi i qeverisë do të bëhet me protesta, pasi sipas tij, qytetarët janë të pakënaqur.
“Nuk e di qysh ka me mujt me i përballu ky, se njëherë po hyjmë në një dimër bashkë, e në pranverë me ia kallëxu vendin këtij njeriu. Këtu bëhet fjalë për protesta, se nuk ka me mujt kush me i ndalë njerëzit. Nuk ka vullnet me i kry punët. Këtij iu kanë grumbullu aq shumë punë, nuk e hek njanën prej tavoline. Është egoist i madh, po e farkëton përmendoren e vet, dhe është mshelë në idenë e vet. Unë i garantoj që përmendorja dhe këngët që ia këndon vetit, kanë me i dalë të kqija sepse e ka humbur hapin”, tha Berisha.
I pyetur nëse qytetarët do t’i përkrahnin këto protesta, deputeti i AAK-së deklaroi se pakënaqësia është e madhe.
“Kryeministri duhet me qenë praktik e pragmatik, sepse nuk kryhen punët ndryshe. Inatin e kanë të madh, por nuk po mund të prodhojnë asgjë. Po, nuk kam taku qytetarë që është i kënaqur me këtë qeveri. Të gjithë janë të pakënaqur, ka me pas militant se kur bën rima kryeminsitri thonë kqyre sa i meçëm, i garantoj edhe qatyne që kanë me iu ngri duart këët dimër, sepse nuk ka me pas rrymë”, deklaroi më tutje Bekë Berisha.
Bekë Berisha si kryetar i komisionit parlamentar për siguri, ka folur edhe për dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Kosovës. Berisha u shpreh se pushteti aktual, e detyroi Samedin Mehmetin të japë dorëheqje.
“Drejtori i Policisë, është mbajt aty për me i kry këta punët e veta. VV-ja dhe qeveria pretendon me çkap dhe kap shtetin, e me fokus Policinë, për të cilin gjë edhe me ndihmën e ish-drejtorit ia ka arrit deri-dikund. Besoj që e kanë detyruar me dhanë dorëheqje, ose do të shkarkohej, por ia kanë dhënë mundësinë e vet me qatë rast me arsyetu dyqysh para popullit”, theksoi Berisha.
Ai tha se kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj po sulmohet padrejtësisht.
“Rrahman Jasharaj po mundohet me u demonizu kinse i manipuluar nga opozita. Unë e kam nip të katunit, ka bërë greva edhe kur kemi qenë ne në qeveri, dhe kur jam taku i kam thanë ki drejtë veç vazhdo sepse i kuptojmë problemet e tyre. Këtë nuk munden me demonizu se iu takon partitë politike. Albin Kurti një kohë e ka përkrahur sa ishte në opozitë”, tha Berisha.
Deputeti i AAK-së, pati kritika të ashpra edhe për ministrin e brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai i komentoi në detaje shumicën e ministrave të qeverisë Kurti.
“Nga 1 deri në 10. 1-sh për këtë qeveri. Asnjë ministër nuk ka bërë punë të mirë”, deklaroi Bekë Berisha.