Lajme

Bekim Jashari: Nuk mund të jesh shok i Adem Jasharit pa e mbështetur sovranitetin e Kosovës në veri

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:54 / 24 December 2025

Djali i heroit Hamëz Jashari reagon ashpër ndaj deklaratave që, sipas tij, dëmtojnë unitetin dhe i shërbejnë narrativës së Serbisë.

Bekim Hamëz Jashari, djali i heroit të kombit Hamëz Jashari, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të disa individëve dhe politikanëve në Kosovë, të cilët, sipas tij, kanë krahasuar veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës në veri me krimet e regjimit gjenocidal të Slobodan Millosheviqit.

Në një reagim publik, Jashari e ka cilësuar këtë qasje si “të turpshme dhe të papranueshme”, duke theksuar se është edhe më shqetësuese kur këto deklarata vijnë nga persona që pretendojnë të jenë “shokë” të Kryekomandantit Adem Jashari.

Ai ka nënvizuar se veprimet e Qeverisë për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, për shuarjen e strukturave paralele ilegale dhe për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, nuk mund dhe nuk duhet të krahasohen me shtypjen dhe dhunën sistematike që Serbia ushtroi ndaj shqiptarëve.

“Kjo nuk është as padije dhe as lapsus politik, por fyerje e rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar,” ka theksuar Jashari, duke shtuar se deklarata të tilla i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë, e cila synon përçarjen dhe dobësimin e Kosovës nga brenda.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës e njohin mirë të kaluarën e secilit aktor politik dhe nuk harrojnë rolin dhe sjelljen e tyre, veçanërisht në momentet më të vështira për vendin. Ai ka theksuar se historia nuk mund të fshihet apo të rishkruhet për interesa të ngushta politike.

Në përfundim, Bekim Jashari ka bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare, duke theksuar se politika duhet të shërbejë si mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo si instrument për përçarje, relativizim të krimeve serbe dhe përfitime afatshkurtra partiake.

“Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, jo egos personale,” ka përfunduar ai.