Lajme

Berisha denoncon skandalet me votën e Diasporës, Berisha: Patronazhisti mori votat e diasporës

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:16 / 29 May 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi një tjetër skandal që tregon se si u manipuluan votat e shqiptarëve të diasporës. Në një dalje për mediat nga selia blu, Berisha publikoi pamje filmike që tregojnë se si një patronazhist i Partisë Socialiste mori në dorëzim votat e diasporës, ndërsa theksoi se opozita nuk do t’i njohë zgjedhjet e 11 majit.

Kreu i PD-së u shpreh se e vetmja rrugë është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike.

Sali Berisha publikoi gjithashtu fakte dhe prova të tjera që sipas tij tregojnë qartë manipulimin e votës së shqiptarëve të diasporës nga ana e qeverisë. Në një dalje tjetër për media nga selia blu, lideri i opozitës publikoi pamje ku shihet se si një patronazhist i Partisë Socialiste, me lidhje me ministrin Taulant Balla, mori në dorëzim votat e diasporës dhe në rrjetet sociale shprehej se do t’i plotësonte vetë.

Kreu demokrat deklaroi se një tjetër provë flagrante që tregon ndërhyrjen e Partisë Socialiste në manipulimin e votës së emigrantëve është edhe shkelja e kontratës, duke përfshirë në këtë proces edhe Postën Shqiptare.

Berisha theksoi se opozita do të vazhdojë betejën deri në rikthimin e votës së lirë, duke deklaruar se e vetmja zgjidhje është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike.

Kryetari i Partisë Demokratike u ndal edhe te censura që, sipas tij, po ushtrojnë mediat, duke heshtur dhe mos pasqyruar faktet që tregojnë se 11 maji ishte një farsë elektorale.

Lideri i selisë blu e përmbylli fjalën e tij duke paralajmëruar se raporti përfundimtar, me të gjitha shkeljet dhe provat që vërtetojnë farsën zgjedhore, do t’i dorëzohet Parlamentit Europian dhe të gjitha ministrive të jashtme të Bashkimit Europian.