Nga Kimete Berisha
Dhimbja është mbytëse, ta mbyt edhe zërin, edhe lotët ti shter, edhe fjalët ti humb.
Të gjithë ata që sot e bllokojnë buxhetin janë milionerë dhe jetojnë në lagje luksoze.
E kush të bën milioner në një vend të korruptuar?
Fati! Dihet.
Vendi më i varfër në Evropë, e ka opozitën më të pasur në Ballkan.
Si pas luftës – luftë.
Dhe prapë Ti pyet veten: pse jam fatkeq?
1. PDK – Shpresa te i Burgosuri
Presin Hashim Thaçin të dalë nga burgu.
Shpresojnë që ai do ta marrë komandën, derisa Memli ruan hijen.
Loja e “Jo”-s vazhdon.
Dje Memli krijoi një thënie:
“Uji i turbullt nuk pihet dy herë” – pra, një herë pihet.
Këtë “thënie” nuk do ta kishte nënshkruar as babai i tij.
Në çdo qytet, PDK ka nga një kryetar-ushtarak që mban vulën si çelës të kazinosë politike.
PDK-ja nuk është parti.
Është rrjet bosësh lokalë që i falen burgut si faltore shprese.
2. LDK – Shpresa te i Vdekuri
Për së vdekuri shfrytëzojnë Ibrahim Rugovën, anipse as heshtjen nuk ia e kanë mësuar.
Ata janë grup burrash e grash arrogantë, që gjithë ditën çirren, mallkojnë, merren me gra e me fëmijë të kundërshtarëve.
Hykmetja bile kërkon që e bija e Albin Kurtit të jetojë në Kosovë.
Ata janë gjithçka që s’ishte Rugova.
Ai ka vdekur? S’ka problem.
Populli e di, por ende e voton Rugovën.
Quhet besnikëri.
Dhe çdo premtim kalon përmes varrit të tij.
Prandaj, LDK ecën përpara me kokën pas, derisa fantazmat e votuesve shpirtmirë presin ringjalljen.
3. AAK – Familja e pushtetit lokal
Nuk ka parti… por ka rrjet: vëllai, daja, nesër nipi.
Secili kryetar lokal është edhe komandant, edhe filial i bankës familjare…që nuk pyet për Zot.
Sot duhet guxim me pi kafe me Ramush Haradinajn.
Nuk dihet kush kë pi: ti kafen, apo kafeja ty.
Çdo fjalë e këtij burri katundi është intrigë ordinere e mesjetare, si e shtrigave në fillim të karrierës.
Po ta kishte lexuar një libër, do ta dinte si të thurte një gënjeshtër për t’u besuar.
4. Bedri Hamza – Armiku i padukshëm i Mitrovicës
Bedri Hamza nuk zbulohet lehtë, por i bën të tjerët ta zbulojnë veten.
Është si akrepi që bën dritë natën, kur s’e sheh askush – përveç atyre që janë si ai.
Me prirje paranormale lexon mendime, dhe gjatë këtyre leximeve ka kuptuar se partia e tij ka nevojë për fe dhe rituale.
Memento mori.
Bedriu di gjithçka për secilin, dhe askush nuk di gjë për të.
Është armik i përsosur, sepse duket mik i të gjithëve.
5. Deputeti – Shpresa e përjetshme
Bashkëpunon vetëm në ëndërr, sepse realiteti është i papranueshëm.
Kush zgjohet, përjashtohet.
Salla e Kuvendit u bë krevat gjigant: aty lindin ligjet, flenë idealet dhe i martuari rimartohet.
Pushteti e përtrin shtratin, dhe zhvillimet më të mëdha po ndodhin në sektorin erotik.
Urime çiftit!
6. Duda Balje – “Ne bojim se drugova tvoga frajera”
Kanë menduar se do ta frikësojnë duke zbuluar bisedat e saj sekrete me agjentë të deklaruar të Serbisë.
Sekreti është i mbrojtur me ligj. E spiunazhi është zanat i ndershëm – kur e bën me shpirt.
Kjo “zanë e sekreteve”, e bija e atij që ka shpërndarë bukë për policinë serbe gjatë luftës
(siç tha vetë: “ishte i detyruar”),
sot nuk pranon as bukë politike nga shumica shqiptare.
Ajo vendos kundër tyre, gjithmonë.
Ky është dallimi mes detyrimit dhe zgjedhjes.
Në familje ndryshon vetëm uniforma. Instinkti mbetet.
Duda Balje, pronare e disa banesave, sot luan me politikanë shqiptarë, sepse atyre u pëlqen.
Meshkujt shkrihen… në disa raste.
Paqja – I vetmi vend i lirë
Sot, kur të gjithë thërrasin në ndarje, në luftë vëllavrasëse e në leçitje,
i vetmi vend i zbrazur është varri i Ibrahim Rugovës.
Mungon njeriu i mençur, i qetë, i urtë, që ia lëshon udhën Ramush Haradinajt…
sepse e di që gjithçka është – edhe pak çështje fati.
P.S.
Në luftë jam dukur e shëmtuar, e shkrirë nga pikëllimi, pa letër e pa laps.
Këndoja me një plakë që i lutej qiellit:
“Eh, moj Kosovë e shkretë…”
dhe unë i përgjigjesha: “Ç’mu dësh’ru me t’pa ty…”
Cigaren e ndërroja me ushtarët: një copë mishi për një cigare, një shishe raki për dy lugë kafe.
Ndjehesha feudale e luftës – ndërroja dehjen me dehje.
U bëra pasqyrë e vdekjes së të tjerëve,
por më tremb më shumë vdekja në paqe se sa vdekja në luftë.
E gjallë, gabimisht.
Një burrë mund të më vrasë me moral, para se një armik të më shuajë me plumb.
Të vritesh në liri, kur ke pasur mundësi të vritesh në luftë…
Që atëherë, nuk jam më patriote.
Dhe nuk dhemb më.
Dhe kjo është forma më e re e dhimbjes.