Anëtari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri, është i ftuari i kësaj jave në BlicInterview me Astrit Gashin.Tahiri ndër të tjera komentoi edhe zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në vendin tonë. Sipas Tahirit, nuk ka asnjë dilemë se AAK-ja do t’i mbajë të gjitha komunat që i ka në qeverisje, sepse në të gjitha prej tyre janë bërë punë të mëdha.
“Fillimisht po flas për 5 komuna. Nëse ka një transformim të pushtetit lokal në ndonjë komunë, ai transformim është tek komunat ku kemi udhëhequr ne. E fillojmë nga Suhareka, Bali Muharremajn nuk e rrezikon as Blerim Kuqi e as Hamdi Bytyqi. Bali Muharremajt i flasin veprat, nuk kam dilema për fitoren e tij. Rahoveci në anën tjetër është transformuar plotësisht nën qeverisjen e Smajl Latifit, pa asnjë aferë korruptive e as pa asnjë aferë nepotiste. Gjakova është transformuar poashtu, po bëhet adresë turistike, po bëhet sikur Korça për botën shqiptare nën udhëheqjen e Ardian Gjinit. Deçani poashtu e njëjta, Bashkimi, një kryetar shumë serioz dhe shumë punëtor. Nëse ka ndonjë garancion që e jap për fitore është në Klinë. Mendoj se do të ketë balotazh, por Zenul Elezaj do ta fitojë atë“, tha fillimisht ai.Tutje, Tahiri foli edhe edhe për komunat që AAK-ja synon t’i rikthejë në qeverisje, duke pasur një qëllim të madh, rikthimin e Pejës nën udhëheqjen e Ali Berishës.
Ai tha se Ali Berisha ka bërë një pauzë të gjatë dhe ka reflektuar mbi gabimet që i ka pasur në qeverisje. Një koment e dha edhe për kandidaturën e Bekë Berishës, ku tha se mendon se do të marrë më shumë vota nga të gjithë kandidatët e AAK-së në kryeqytet.“Në komunat e tjera, do ta rikthejmë Junikun, kurse një garë të fortë e shoh në Pejë. Ali Berisha ka bërë një pauzë të gjatë dhe ka reflektuar mbi gabimet që i ka pasur në qeverisje. Secili kryetar që kërkon mandat të katërt e ka të rrezikuar atë, ashtu mendoj se do ta ketë edhe në Pejë. Këtu e shoh një mundësi të madhe të Ali Berishës në Pejë, i cili po ndërton një ekip dhe besoj që rikthimi më i madh do të jetë fitorja në Pejë. Dihet se atje do të ketë balotazh mes LDK-së dhe AAK-së dhe në fund do të punojmë fuqishëm për t’ia dhënë një qeveri të merituar këtij qyteti. Për Prishtinën, unë do ta ndihmoj Bekë Berishën shumë. Mendoj se ai do të marrë më shumë vota se të gjithë kandidatët e tjerë të AAK-së ndonjëherë në Prishtinë”, përfundoi Tahiri.