Besnik Tahiri nga AAK-ja është i ftuari i kësaj jave në BlicInterview me Astrit Gashin.Sipas tij, opozita ka rënë në kurthën e Albin Kurtiti, fillimisht duke mos e konstituar Kuvendin, e pastaj duke e lënë atë në pozitat ekzekutive, e cila vjen si pasojë e të parës.
Tahiri shtoi se Kurti po e pret mundësinë që të shkojë PDK-ja ose LDK-ja në një koalicion ose që të ketë zgjedhje dhe pastaj të bëhet një koalicion me 2/3, e cila e zgjedh edhe presidentin.“Ne e kemi thanë, me deputetët tanë e mbështesim opozitën. Limaj me tre deputetët e tij e ka prishur pak situatën e opozitës, edhe pse ka thënë që kur bëhen numrat do ta votonte një qeveri të opozitës. Kurti ka qasje strategjike, duke dashur për të qenë sa më gjatë në pushtet. Ai po e pret mundësinë që të shkojë PDK ose LDK në një koalicion ose që të ketë zgjedhje dhe pastaj të bëhet një koalicion me 2/3, e cila e zgjedh edhe presidentin. Duhet cekur që ne kemi rënë në kurthën e tij. Kurtha e parë që ia ka bërë opozitës është mungesa e konstituimit të Kuvendit, në vend se ne ta konstituojmë atë dhe t’i themi: ‘Hajde tash formoje qeverinë për 15 ditë’, ne jemi ende duke shkuar çdo 48 orë dhe duke qëndruar në opozitë. Kurtha tjetër është pasojë e të parës, sepse ata po i gëzojnë postet ekzektuive, pra ata janë në qeveri. Veprimin politik që është dashur ta bëjmë para 2 muajve nuk e kemi bërë. E përsëris, është dashur ta votojmë pikërisht në ditën e parë. Pyetja është: Pse opozita po qëndron në agjendën e Albin Kurtit?“, tha fillimisht Tahiri.
Duke komentuar zgjidhjen e mundshme të kësaj situate, Tahiri e sheh shumë problematike krijimin e një qeverie në kushtet momentale.Sipas tij, janë dy opsione, ose të shkohet në zgjedhje, ose të kemi një qeveri të krijuar nga Kurti së bashku me NISMËN, e cila nuk preferohet shumë nga kryeministri aktual në detyrë.
“Qeveria e unitetit me VV-në nuk ka, nuk bëhet. Qeveria Kurti 3, në këto rrethana nuk bëhet, nuk i ka votat. Qeveria e Bedri Hamzës, potencialisht mund të bëhet, por realisht është shumë ngushtë me numra dhe varet edhe prej zotëri Limajt dhe neve AAK-së. Këtu po mbetet, ose të shkojmë në zgjedhje ose Kurti ta bëjë qeverinë me NISMA-në, të cilën nuk e bënë. Ai nuk dëshiron ta bëjë qeverinë me 61 deputetë“, përfundoi Tahiri.