Kandidati i PDK-së për deputet, Betim Gjoshi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit ka rënë pre e një telefonate nga dy komedianë rusë, të cilët u shtirën si presidenti i Letonisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjoshi e cilësoi këtë ngjarje si “konfirmimin më të madh” se Kurti është një “palaço politik” që nuk arrin të dallojë një bisedë zyrtare nga një mashtrim i pastër.
Postimi i plotë:
Nëse dikush kishte ende dyshime se Albin Kurti është një palaço politik, sot mori konfirmimin më të madh: një Kryeministër që bie pre e dy komedianëve rusë, duke menduar se po flet me presidentin e Letonisë!
Dhe çfarë bën ai në këtë “takim të rëndësishëm”? Shanë opozitën, sulmon mediat dhe nënçmon administratën amerikane!
Në fakt, kjo nuk është më as për të qeshur. Kemi një Kryeministër që e shet veten si lider vizionar, por nuk arrin as të dallojë një thirrje tallëse nga një bisedë zyrtare. Një “burrë shteti” që më shumë ka folur fshehurazi kundër aleatëve sesa ka punuar për qytetarët e Kosovës.
E vetmja pikëpyetje në këtë episod tragjikomik mbetet kjo: cili ishte më palaço – komedianët apo Kryeministri? Kosova meriton ma mirë!