NGA: FATON MEHMETI
Më shumë se trembëdhjetë vite nga fillimi i bisedimeve me Serbinë nuk prodhuan thuajsë asgjë, me përjashtime të vogla. Ndonëse u tha se bisedimet janë për çështje teknike, asnjëherë nuk ishin të tilla, dhe nuk kishte si të ishin mes një shteti që ka kryer krime mbi një popull që kërkonte vetëm të drejtën e jetës. Për më tepër dhe që vazhdon ende të ketë synime territoriale mbi viktimën, s’mund as të mendohet për diçka teknike.
Fatkeqësisht, kështu u prezentua para qytetarëve edhe nga krerët e insitucioneve të asaj kohe, në vend se të thuhet e vërteta; me Serbinë çdo gjë është politike. Trembëdhjetë vite nuk prodhuan asgjë, përkundrazi në dhjetë vite ka qenë Serbia fituese në dy drejtime: rehabilitimi i figurës së udhëheqësve serbë para botës, të atyre që direkt apo indirekt kanë shkaktuar tragjeditë më të mëdha pas luftës së dytë botërore, si dhe kanë vë në pikëpyetje sovranitetin e vendit.
Vetëm këto tre vitet e fundit, Kosova ka arritur të çjerrë maskën e Vuçiqit dhe Serbisë para botës, si dhe duke shtri sovranitetin e vendit edhe në veri, në atë pjesë që praktikisht ishte e kontrolluar nga Serbia dhe terroristët e saj. Narracioni që ka ndërtuar Kosova për dhjetë vite karshi Serbisë ka rezultuar të jetë i dështuar, çka ka arritur deri në pikën e ndarjes së vendit. Fatmirësisht, ky projekt dështoi, tani Serbia po përballët me të vërtetën që është dashur ta ketë qysh nga fillimi.
Derisa BE, si ndërmjetësuese e bisedimeve nuk ndryshon qasjen s’do të ketë rezultat, bisedimet po futen në dekadën e dytë pa rezultat. Nëse nuk ka rezultat, siç ka ndodhur mes Izraelit dhe Palestinës edhe mund të ketë luftë, për çka Kosova nuk i ka borxh askujt as tani dhe as në të ardhmen. Bota nuk e parandalon luftën, ledhatimet ndaj Serbisë nuk sjellin paqe.