Lajme

Biserko “godet” Lajçakun për Urën e Ibrit, jep paralajmërimin e “fortë”: Çka do të ndodhë me ardhjen e “Zonjës së hekurt të Evropës”

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:37 / 25 July 2024

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka kritikuar emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak. Ajo ka komentuar deklaratën e emisarit sllovak se hapja e Urës së Ibrit mund të nxitë tensione të reja dhe se kjo çështje duhet të përfshihet në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se hapja e kësaj ure nuk është kundër askujt, por në të mirë të banorëve të asaj pjese.

Sipas Biserkos, Lajçakut i mungon autoriteti për të detyruar të dyja palët të zbatojnë atë që është rënë dakord. Ajo ka theksuar se qëllimi i Beogradit është ndarja e Kosovës.

“BE-ja, konkretisht Lajçak, nuk ka qenë ndërmjetësi më i suksesshëm. Duket se atij i mungon autoriteti për të detyruar të dyja palët të zbatojnë atë që është rënë dakord. Beogradi përfiton nga tensionet dhe ruajtja e status quo-së, duke shpresuar se do të krijohet një mundësi për ndarje. Prandaj, çdo përpjekje për të normalizuar gjërat në Beograd portretizohet si ngritje e tensioneve”, ka thënë Biserko për gazetën “Bota sot”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ka komentuar edhe refuzimin e kryeministrit Kurti për takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe vendosjen e tri kushteve të tij.

Ajo takimin e 26 qershorit e ka vlerësuar si përpjekje të shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrell, për të ruajtur vrullin në dialog.

“Ishte e qartë se kjo ishte një përpjekje e komisionerit në largim Borrell, për të ruajtur vrullin në dialog. Ishte e qartë se nuk kishte asnjë shans për ndonjë përparim të rëndësishëm”, ka theksuar Sonja Biserko.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, do të jetë shefja e re e diplomacisë së BE-së. Ajo është quajtur shpesh “Zonja e re e Hekurt e Evropës”, ​​dhe ajo ka theksuar vazhdimisht se i jep mbështetje të plotë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Sipas Biserko, Kallas do të angazhohet seriozisht në Ballkan, kundër operimit të Rusisë.

“Kaja Kallas padyshim që do të jetë shumë e angazhuar në të gjitha çështjet ku Rusia ka potencial për të destabilizuar apo rritur tensionet. Nisur nga vendi nga vjen, ajo është shumë e njohur me metodat e operimit të Rusisë dhe pres që ajo të përfshihet seriozisht në Ballkan, ku Rusia po nxit tensione dhe po destabilizon rajonin”, ka deklaruar ajo për “Bota sot”.