Lajme

Britania u vë sanksione Milan Radojçiqit e Zvonko Veselinoviqit

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
1:44 / 9 December 2022

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar për vendosjen e sanksioneve kundër shumë personave në pjesë të ndryshme të botës për shkelje të ndryshme, përfshirë korruptimin, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe dhunën seksuale të lidhur me konfliktet. Në mesin e personave të sanksionuar janë edhe serbët Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, njoftoi të premten për një valë të re të sanksioneve, në shënjestër të të cilave janë figurat e dyshuara për korrupsion, për shkelje të të drejtave të njeriut e për kryerje të sulmeve seksuale në konflikte, thuhet në një njoftim të publikuar në uebfaqen zyrtare të qeverisë britanike.

Milan Radojçiqi e Zvonko Veselinoviqi janë në grupin e personave të sanksionuar për shkak të korrupsionit. Radojqiqi përshkruhet si “biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe”.

“Radojqiqi ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe e ka përdorur ndikimin e tij për t’i shpërblyer kompanitë e tij të ndërtimit me kontrata fitimprurëse”- thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.

Zvonko Veselinoviqi përshkruhet si “biznesmen i industrisë së ndërtimit në Kosovë, që i shfrytëzon kontratat publike për të shpërdoruar fonde shtetërore”.

Në njoftim thuhet se vala e re e sanksioneve është bërë në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë dhe është veprim për t’i shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut, shkruan Nacionale.

“Këto sanksione e shfaqin angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i mbrojtur shoqëritë e lira dhe të drejtat e njeriut të secilit, kudo”- thuhet në njoftim.