Lajme

Bukoshi: Thaçi ka qenë njeri me autoritet, por nuk ka kontrolluar dhe komanduar gjithçka brenda UÇK-së

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:03 / 31 October 2022

Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i qeverisë së Kosovës në mërgim e më pas pjesëmarrës aktiv në jetën politike duke qenë ministër e zëvendëskryeministër në Kosovën e pasluftës ka dhënë një intervistë për gazetën Tema në Shqipëri.

Ai në këtë intervistë ka folur për kontekstin aktual politik në të cilin gjendet Kosova por gjithashtu edhe për arrestimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Bukoshi nuk është shprehur kundër Gjykatës Speciale, por ai ka thënë se arrestimet janë bërë bazuar në një raport fals e idiotik dhe në disa thika pas shpine nga politika kosovare.

Duke folur për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, ai është shprehur se ky i fundit ka qenë njeri me autoritet, por nuk ka pasur fuqinë dhe autoritetin të kontrollojë dhe të komandojë gjithçka që ka ndodhur brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Hashim Thaçi mund të ketë qenë njeri me autoritet, apo me popullaritet siç thuhet shqip, por nuk e ka pasur autoritetin dhe fuqinë reale të komandonte çdo gjë që ndodhte brenda asaj që u quajt UÇK. Ajo ishte luftë e shqiptarëve kundër formacioneve të armatosura të Serbisë. Hashim Thaçi dhe unë ishim politikanë që luftonim ta vinim nën kontroll politik këtë luftë. Por as ai as unë as Ibrahim Rugova e askush tjetër nuk e kishte autoritetin dhe fuqinë e duhur të kontrollonte atë që ndodhte. Është tjetër gjë të jesh i popullarizuar për shkak të angazhimit në krye të një lëvizje politike  dhe tjetër gjë të jesh në gjendje të kesh autoritetin për të kontrolluar këtë lëvizje. Hashim Thaçi nuk e ka pasë. As ata të tjerët. As unë në krahun institucional nuk e kam pasë.”, u shpreh Bukoshi