Në një intervistë për gazetën ‘Bota sot’, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka folur për zgjedhjet lokale, qeverisjen e tij në këtë mandat dhe për situatën me ngërҫin politik në Kuvend.
Bulliqi sërish është kandiduar nga Lëvizja Vetëvendosje si kandidat për tu zgjedhur kryetar komune edhe për një mandat.
Në këtë intervistë ai ka përmendur edhe arsyet pse qytetarët duhet ta votojnë atë sërish dhe ka përmendur arritjet e tij gjatë këtij mandati.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Edhe pak muaj do të mbahen zgjedhjet lokale dhe ju jeni sërish kandidat për Podujevën. A besoni se do të merrni edhe mandatin e ardhshëm?
Shpejtim Bulliqi: Po, besoj fuqishëm se qytetarët e Podujevës do të na japin sërish besimin për një mandat të ri. Kjo mbështetje e qytetarëve vjen si pasojë e punës së madhe që kemi bërë. Kemi qeverisur me përgjegjësi, me transparencë dhe gjithmonë duke pasur në qendër interesin e qytetarëve. Këtë e dëshmojnë investimet e shumta në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe përkujdesjen për të gjitha kategoritë e shoqërisë.
“Bota sot”: Pse qytetarët duhet të ju japin besimin juve sërish?
Shpejtim Bulliqi: Sepse nuk kemi qenë një qeverisje që premton shumë, por një qeverisje që punon shumë. Mandatin tonë e kemi shfrytëzuar për të zgjidhur probleme të grumbulluara ndër vite dhe për të hapur horizonte të reja zhvillimi për Podujevën. Në vend të fjalëve boshe, kemi sjellë projekte të prekshme në çdo lagje dhe fshat. Kemi dëshmuar se mund të qeveriset ndryshe: me drejtësi, me ndershmëri dhe me përkushtim.
“Bota sot”: Cilën e vlerësoni si arritjen më të madhe tuajën për këtë mandat?
Shpejtim Bulliqi: Është vështirë të veçohet vetëm një, sepse kemi pasur shumë projekte të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët. Por po e përmend ndërtimin e Zonës Industriale si një prej arritjeve kyçe, e cila do i hap rrugën zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Po ashtu, mbështetja për bujqit, shkollat e reja dhe investimet në shëndetësi e kulturë kanë qenë të rëndësishme për ngritjen e cilësisë së jetës.
“Bota sot”: A ka ndikuar kriza politike në qeverisjen e Podujevës?
Shpejtim Bulliqi: Ne kemi punuar në çdo rrethanë, pavarësisht sfidave politike në nivel qendror. Ne nuk e kemi ndjerë asnjë lloj krize që na ka shoqëruar sepse kemi pasur mbështetje të fuqishme nga niveli qendror, dhe jo vetëm ne, por të gjitha komunat në përgjithësi. Ne kemi punuar shumë e pa ndalur në realizimin e objektivave tona, përkundër zhvillimeve në nivelin qendror.
“Bota sot”: Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja më e mirë për të dalë nga ngërçi politik?
Shpejtim Bulliqi: Zgjidhja më e mirë është që secila palë të vendosë interesin e qytetarëve mbi interesin partiak. Duhet më shumë dialog, më shumë përgjegjësi institucionale dhe më pak retorikë bllokuese. Partitë politike duhet ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe bazuar në të edhe të veprojnë. Qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre dhe ata presin zgjidhje, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka fituar bindshëm zgjedhjet dhe Kryeministri Albin Kurti është personi më i votuar në histori të Kosovës, andaj ky realitet duhet të pranohet nga të gjithë pa inate e pa pengesa për formimin e institucioneve të reja.
“Bota sot”: A do të pranonit të bashkë qeverisni Podujevën me ndonjë parti tjetër?
Shpejtim Bulliqi: Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për bashkëpunim, kur ky bashkëpunim është në interes të qytetarëve. Megjithatë, besoj fuqishëm që pas zgjedhjeve të tetorit nuk do të kemi nevojë të bashkëqeverisim me ndonjë parti tjetër sepse do të fitojmë bindshëm si subjekt politik.