Lajme

Bytyçi: Kurti do t’i fitojë zgjedhjet e së dielës edhe për shkak të akuzave të Lushtakut!

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:24 / 26 December 2025

NGA: PROF. DR. ENVER BYTYÇI

Tri ditë para zgjedhjeve Sami Lushtaku u shfaq egër kundër kryeministrit Albin Kurti. E krahasoi ndërhyrjen e shtetit në veri të Kosovës me situatën në Kosovë pas vitit 1989 dhe qeverisjen e Kurtit me regjimin e Milosheviçit! Aleksandër Vuçiq e akuzon Kurtin në vazhdimësi për dhunë ndaj serbëve, sidomos atyre në katër komunat e veriut. Por nuk ka shkuar aq larg si Lushtaku që ta krahasojë atë me Sllobodan Milosheviçin. Samiu po. Edhe ndonjë politikan tjetër në PDK e LDK. Kurti vetë nuk është përgjigjur. Nuk iu ka përgjigjur as Ramushit kur e akuzon për “spiun të Serbisë”. Dhe bën mirë për këtë. Çurçilli thoshte se nëse gjuan me gurë çdo zagar që të del në rrugë, atëherë nuk do t’ia dalësh, sepse nuk të dalin as gurët.

Po çfarë mendon dhe beson një qytetar i thjeshtë për këtë lloj diskursi, i cili e dëmton rëndë imazhin dhe pozitën e Kosovës? Edhe ata që nuk e votojnë Albin Kurtin e dinë se ai nuk ushtron asnjë lloj dhune kundër serbëve në Kosovë. Ai thjesht ka mundur të asgjësojë bandën terroriste të serbëve me Radoiçiqin më 24 shtator 2023 në Banjskë. Ka mbyllur institucionet paralele të Serbisë në Kosovë. Ka shtrirë shërbimet e shtetit edhe në veri të vendit. Ka luftuar krimin e organizuar dhe paligjshmërinë dhe të gjitha këto nuk kanë të bëjnë serbët e thjeshtë, por me kriminelët, me nd;rhyrjet e qeverisë së Serbisë dhe banditëve kontrabandistë. Derisa në Kosovë e dinë këtë fakt Sami Lushtaku, nuk ngurron që ta akuzojë Kurtin për dhunë kundër serbëve. Pra ai shpif! Për llogari të kujt, vetëm ai e di këtë. Por Bekim Jashari e dha mesazhin: “Ai që nuk lufton dhe nuk e pranon sovranitetin e Kosovës në veri të vendit, ai nuk është me Adem Jasharin”! Kaq mjafton për ta kuptuar se kush duhet votuar më 28 dhjetor.

Çfarë mesazhi po jep njeriu që në hije dikton dhe udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës? Ai që i largon nga kjo parti të gjithë ata që nuk i binden, si psh Ramiz Lladrovcin? Mesazhi i tij është i shumëfishtë. Së pari, i dërgon sinjale Serbisë, se ai është pro politikave të Beogradit në Kosovë për destabilizimin e saj. E di se do të thotë që ka luftuar për Kosovën. Por faktet dëshmojnë se kishte luftuar për ta pasuruar veten dhe familjen e tij. Për të krijuar klane dhe jo politika të zhvillimit të Kosovës pas çlirimit të saj! Së dyti, Sami Lushtaku me këto deklarata hyn garant te miqtë e Serbisë në Europë dhe SHBA, përkatësisht te Macron, Meloni, Grennell, etj, se Partia Demokratike është e gatshme të bëjë gjithçka duan ata në procesin e dialogut me Serbinë. Dhe me këtë garanci kërkon ndërhyrjen e huaj që Kurti të mos bëhet kryeministër. Përkatësisht kërkon mbështetjen e aleatëve të Serbisë në Perendim, me qëllim që ta sabotohet fitorja absolute e Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj, GUXO, Alternativa dhe Demokristianët të dielën e ardhshme. Dhe së treti, paralajmëron Bedri Hamzën për deklaratën që ai bëri se për qeverisjen e vendit ai nuk ka vija të kuqe me askënd dhe se do të ishte i gatshëm të bisedonte për koalicionet e mundshme. Lushtaku me këtë deklaratë kundër Albin Kurtit i thotë kryetarit de jure të partisë së tij se ti nuk guxon të bësh koalicion me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve.

Pra, dikush e ka udhëzuar Lushtakun ta bëjë atë deklaratë. Ai dikushi është i bindur se Samiu përveç interesit të tij personal e familjar nuk ka në merak asnjë interes tjetër. Kjo do të thotë se akuza dhe krahasimi i kryeministrit të Kosovës me ish-kasapin e Ballkanit, Sllobodan Milosheviq, është i projektuar në ndërgjegjen e Sami Lushtakut dhe i nxitur nga grupe e qarqe anti-Kosovë. Për këto arsye ajo deklaratë sa e papërgjeshme, aq edhe e rrezikshme për imazhin e shtetit, do të ndikojë që së paku koalicionit të Vetëvendosjes t’i shtohen votat dhe të arrijë numrat për formimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit. Sepse në gjykimin dhe vlerësimin tim, nuk ka asnjë arsye pse kjo të mos ndodhë, sidomos në kushtet kur partia më e madhe e opozitës e toleron Sami Lushtakun deri në këtë pikë. Partia Demokratike akoma nuk ka thënë asnjë fjalë kundër këtij diskursi armiqësor për Kosovën, jo për Albin Kurtin! Kjo parti nuk ka reaguar dhe nuk e ka dënuar akoma fyerjen e rëndë që Lushtaku i bëri aktores dhe deputete e Vetëvendosjes!